Rama ndan pamjet magjepsëse nga Syri i Kaltër, monument i natyrës dhe destinacion turistik

14/06/2020 09:04

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka zgjedhur që ta nis me disa pamje nga bukuritë magjepsëse të Syrit të Kaltër.

“Mirëmëngjes dhe me këtë peizazh nga Syri i Kaltër, ju uroj të dielë të paqtë”, u shpreh kryeministri Rama.

Syri i Kaltër ndodhet pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një luginë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër del një ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit dhe hijes së pemëve. Është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë Malit të Gjerë.

Syri i Kaltër është shpallur monument natyre. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të Gjerë. Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.

Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltër e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Bukuria e kërkuar nga shumë vizitorë, gjendet pikërisht aty buzë rrugës nacionale Sarandë-Delvinë-Gjirokastër. Nëse udhëtimi ndjek të kundërtën e rrjedhës së Bistricës, arrin në burimin e Syrit të Kaltër, aty ku gjelbërimi shkrihet në ujërat që rrjedhin.

Top Channel