Kapen rreth 500 mijë euro në traget/ Vinin nga Bari, ndodheshin në një kamion fasonerie

14/06/2020 12:05

Policia sekuestroi të shtunën, në Portin e Durrësit një shumë parash prej 498 mije e 850 euro, pas kontrolleve që strukturat doganore bënë ne një kamion, i cili mbërriti me tragetin e linjës Bari – Durrës.

Kjo sasi e konsiderueshme parash u gjet e shpërndarë në disa qese të cilat ishin fshehur midis kokës së kamionit dhe rimorkos. Kamioni i përket një fabrike të prodhimit të këpucëve në Tiranë, e quajtur JA-ADA, në pronësi të shtetasit Artan Katrini.

Policia arrestoi në flagrancë shoferin e mjetit, Andon Thanasi, 56 vjeç, qe deklaroi se nuk ka pasur dijeni për paratë. Mbi të tashmë do të rëndojnë dy akuza: ajo e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë.”

Grupi hetimor do të marrë në pyetje edhe pronarin e fasonerisë si dhe do te përqendrohet te zbulimin i origjinës dhe destinacionit te parave.

Kamioni i cili kaloi në skanerat e portit të Durrësit ku u evidentuan të fshehura rreth 500 mijë euro, kishte bërë disa herë hyrje-dalje nga Shqipëria, pasi shkonte në Itali për të marrë lëndë të parë për prodhimin e këpucëve ne Tirane. Dalja e fundit e kamionit është regjistruar katër ditë më parë.

Sasia e parave është më e madhja e sekuestruar në Portin e Durrës që pas 3.4 milionë eurove të cilat u gjetën të fshehura në dy makina tip Toyota Yaris, ngjarje kjo që ndodhi në qershor të vitit 2018 dhe u zbulua, në bashkëpunim me Interpolin italian. Edhe këto automjete, që vinin nga Belgjika, u transportuan në tragetin e linjës Bari-Durrës.

Top Channel