Foto/ Laguna e Kune-Vain, atraksion i përhershëm për turizmin e natyrës dhe vëzhgimin e shpendëve

14/06/2020 09:14

Laguna e Kune-Vainit, 8 kilometër larg qytetit të Lezhës, është kthyer në një atraksion të përhershëm për turizmin e natyrës, vëzhgimit të shpendëve ujorë, të historisë, por edhe të kulinarisë së veçantë të zonës.

E shpallur e para zonë e mbrojtur në vend rreth 8 dekada më parë, laguna cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë ka tërhequr vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët shijojnë bukurinë e saj.

Kjo zonë karakterizohet nga habitate të ndryshme të integruar në një ekosistem të vetëm. Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore ose gati natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit.

Ndër gjallesat e egra, specie me status të veçantë që konsiderohen globalisht të rrezikuara, janë karabullaku dhe lundërza.

Kjo lagunë është e vetmja zonë shumëzimi për çafkën e vogël. Ajo vizitohet herë pas here nga breshkat e detit dhe foka mesdhetare që kanë një rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.

Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante.

Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit  të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë.

Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre, shkruan ATSH.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.

FOTO GALERI
2/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA