U veshën si policë për të çuar drogë në Greqi/ Ngjarja e 2019-ës, shkon në 9-të numri i të arrestuarve

12/06/2020 11:07

Ka shkuar në nëntë numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurila” finalizuar në muajin nëntor 2019, ku është ndaluar një bashkëpunëtor tjetër​ i implikuar në ngjarje.

Kështu u bë urdhri i ndalimit për shtetasin në kërkim E. M., 34 vjeç, banues në Korçë, (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).

Më datë 16.11.2019, nëntë personat tentuan të trafikonin drejt Greqisë 37.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, duke u veshur me veshje të cilat mbanin mbishkrimin “Policia”, për ta pasur më të lehtë kalimin e sasisë së drogës nëpërmjet kufirit të gjelbër, në fshatin Kurilë, Devoll.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 14.05.2020,​ ka caktuar për 34-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Gjithashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin në kërkim K. X., 27 vjeç, banues në Korçë.

Në datën 17.02.2020, në lagjen nr. 8, në Korçë, ky shtetas në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin V. X., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të shtetasit V. B., i cili nuk ka pësuar dëmtime dhe janë larguar nga vendngjarja.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel