Kupa e Shqipërisë bëri një tjetër hap drejt kompletimit të tablosë finale për trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar. Ndeshjet e para të çerekfinaleve mes 8 skuadrave të mbijetuara në këtë turne, nuk sollën gjithsesi surpriza.
Tirana arriti të marrë një fitore të thellë 5-1 ndaj Besëlidhjes, që praktikisht i jep bardhebluve kualifikimin, edhe pse për këtë do të duhet të presë matematikën në kthimin në Lezhë. Skuadra mike surprizoi me avantazhin e Hoxhës në stadiumin Selman Stërmasi ku dëgjoheshin vetëm britmat e trajnerëve.
Por shpejt kryqytetasit zhvlerësuan epërsinë e Besëlidhjes madje e bënë pa shkuar në pushim me penalltinë e pakapshme të Bathës dhe kombinimin fantastik të finalizuar nga Kale. Në fraksionin e dytë Torasa, Kale dhe Sidibe kompletuan festivalin e golave që meritonte stadiumin plot, por gjeti vetëm entuziazmin e pankinës.
Kukësi fitoi në sekondat e fundit 2-1 ndaj Apolonisë dhe tani do ta ketë më të lehtë në kthim. Kuper dhe Ekemini ishin autorët e golave në impiantin Loni Papuciu në një ndeshje që po shkonte drejt barazimit deri në kohën shtesë kur vendosi transfertën, rrjeta e zëvendësuesit Lulaj. Bylis mundi 1-0 Skënderbeun me rrjetën e Barjamaj por do duhet ta mbrojë në Korçë, avantazhin e brishtë që e çon drejt gjysmëfinales.
I hapur mbetet gjithashtu kualifikimi mes Vllaznisë dhe Teutës, edhe pse barazimi 2-2 tani favorizon durrsakët. Suksesi që ëndërronin shkodranët në Loro Borici, u sfumua në fund nga rrjeta e Kapllanit. Në total Kupa e Shqipërisë pati një bilanc pozitiv në termat e spektaklit me 14 gola në vetëm 4 ndeshje.
Top Channel