Prokurorët kanë marrë në pyetje për rreth tre orë kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, për mënyrën se si është menaxhuar emergjenca e koronavirusit në vend.

Prokurorët nga Bergamo, qyteti në rajonin e Lombardisë veriore që është goditur më rëndë nga virusi, po hetojnë përse dy qytetet nuk ishin shpallur zona të kuqe më herët. Epidemia i ka marrë jetën më shumë se 34 mijë personave në Itali, një nga vendet e goditura më rëndë në botë, kryesisht në veri të vendit. Kryeprokurorja, Maria Kristina Rota dhe ekipi i saj, po përpiqen të zbulojnë përse izolimi nuk u vendos më herët në qytetet e Nembros dhe Alzanos, në provincën e Bergamos.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se nëse zona do të ishte vënë në izolim, shumë jetë njerëzish do të ishin shpëtuar. Ekipi i prokurorëve është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë në lombardi, që thonë se i takonte Romës të vendoste nëse zona të caktuara do të mbylleshin apo jo. Konte ka kundërshtuar duke thënë se rajonet kishin autoritet të plotë të mbyllnin disa zona ku virusi kishte filluar të përhapej shpejt në fund të shkurtit dhe fillim të marsit. Nëse Lombardia do të kishte dashur, mund ti kishte bërë Alzanon dhe Nembron zona të kuqe – tha ai.

Qyteza e parë italiane e vendosur në karantinë ishte Codogno, rreth një orë në jug të Nembros dhe Alzanos, më 21 shkurt. Edhe nëntë qyteza të tjera rreth saj u izoluan para se i gjithë rajoni i Lombardisë dhe 14 provinca në rajonin fqinj të Venetos, Piemontes dhe Emilia Romanas, të viheshin në karantinë më 8 mars. Konte ndërkohë vendosi të gjithë vendin në karantinë më 10 mars.

Top Channel