Kardhiq-Delvinë, rruga mbahet peng/ KPP zvarrit dosjen, bllokohet puna për tunelin

12/06/2020 19:42

Ndërtimi i rrugës së re Kardhiq-Delvinë po mbahet peng në një seri institucionesh. Në një pjesë të saj duhet të ndërtohet një tunel disa kilometra i gjatë për të cilin do investoheshin mbi 20 milionë euro.

Ish drejtuesit e autoritetit shtetëror të rrugëve skualifikuan ofertuesin me më pak para për të shpallur fitues një kompani tjetër. Pas ankesave nga fituesi që u skualifikua e rifitoi të drejtën, por sërish u krijua një situatë kur institucionet me arsyetime ligjore lidhur me hetimet në lidhje me parregullësitë e premtuara, nuk po japin asnjë vendim.

Top Channel pyeti autoritetin shtetëror të rrugëve dhe përgjigjia e tyre është se presin përfundimin e shqyrtimit të ankesave që janë paraqitur nga garuesit në komisionin e prokurimeve publike. Edhe Ministria e Infrastrukturës nga e cila varet ky autoritet ka të njëjtin shpjegim. Top Channel ka pyetur drejtuesit e komisionit të prokurimit publik dhe këta të fundit me një gjuhë shumë protokollare nuk japin shpjegim për arsyet e vonesave.

“Shqyrtimi i ankimimeve për dosjen e tunelit Kardhiq-Delvinë është proces shqyrtimi njësoj si të gjitha dosjet e tjera Vendimi final do të merret nga komisioni i prokurimit publik”.

Ish drejtuesja e autoritetit shtetëror të rrugëve Sonila Qato u shkarkua pikërisht për këtë tender, ndërsa disa padi penale janë paraqitur në prokurori dhe zvarritja e hetimit nga ky institucionit është kthyer në argument për zvarritjen e procesit dhe nisjen e punës së ndërtimit të tunelit të Kardhiqit. Rruga duhet të kishte përfunduar tashmë, por kompania fituese u eliminua në mënyrë të parregullt dhe mafioze.

Top Channel