Telashe në horizont për mbrojtësin e Barcelonës Nelson Semedo. Anësori i bluagranave është vendosur në qëndër të ciklonit pasi ka shkelur protokollin e sigurisë anti Covid-19.
Vetëm pak ditë para rinisjes së La Ligas, futbollisti portugez duke iu referuar asaj që shkruajnë mediat spanjolle, ka marrë pjesë në festën e ditëlindjes të një miku në të cilën ka qenë të pranishëm edhe 19 persona të tjerë, në një lokal në Castelldefels. Në Spanjë për momentin ligji i përpiluar gjatë periudhës së koronavirusit nuk e lejon grumbullimin e më shumë se 15 personave në një ambient të vetëm.
Në fotot e publikuara nga mediat shikohet qartë që Semedo qëndron në shoqërinë e disa personave të tjerë pa respektuar distancën e sigurisë dhe pa maska. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe klubi i Barçës që i ka kërkuar lokalit blerjen e fotove të kapura nga kamerat e sigurisë për të vërtetuar nëse gjithçka është e vërtetë dhe për të marrë masat e nevojshme.
Tashmë do t’i takojë ligës spanjolle të futbollit nëse Semedo do të vazhdojë seancat stërvitore me skuadrën dhe nëse do të jetë pjesë e transfertës ndaj Mallorcas në fundjavë.
Top Channel