9 marsi kur vendi ynë ashtu si shumë shtete të tjera të botës u izolua për shkak të Covid-19 duket sa i largët edhe i afërt.
Hapja graduale dhe më pas tërësore ka sjellë rritjen e numrit të të infektuarve, si asnjëherë më parë. Ndërkohë shtete të zhvilluara po vazhdojnë luftën me Sars-Cov2, të tjera po luftojnë më rrezikun e rikthimit. Po të kryesh një vëzhgim në qytet, vë re një ulje të vigjilencës nga njerëzit veçanërisht të rinjtë dhe mosha e mesme.
“Është pa tru ai që mendon se gjithçka mbaroi dhe nuk duhet të mbrohemi. Përderisa e thonë mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik, duhet të vazhdojnë respektimin e masave. E mbaj përherë maskën dhe i zbatoj rregullat, sepse e pamë çfarë ndodhi dhe po ndodh në Itali dhe Angli, ku kemi fëmijët. Por njerëzit, vihet re që e kanë lëshuar veten. U lodhëm, duam lirshmëri, jetë normale. Është një grip që edhe po e kaluam nuk ka gjë. 44 të infektuar në ditë është pasojë e hapjes dhe turrjes së njerëzve si të lëshuar nga zinxhirët”, shprehen qytetarët.
Nëse ju kujtohet njerëzit e moshës së tretë ishin ata që u përshtatën me vështirësi me rregullat e reja, ndërsa tani janë të fundit që po i zbatojnë me përpikmëri masat.
“Po si të mos i zbatojmë. Një që nuk ka e mendjen në vend dhe nuk e kupton rrezikun ai bëhet trim kot. Nuk është fodullëk të mbash maska, doreza, distancë. Unë jam edhe kundër hapjes së transportit publik”, deklarojnë disa qytetarë.
Mjekët i kanë intensifikuar thirrjet për të ruajtur vigjilencën në nivelet e kohës së izolimit. Sipas tyre nuk duhet të ruhemi nga frika e policit, por secili duhet ta mbajë mbi krye policin e vet, të ketë rojë, ndërgjegjen e vet.
Top Channel