Pas Bundesligës, mbrëmjen e sotme ishte radha që të rikthehej edhe futbolli spanjoll, pasi u zhvillua derbi andaluzian Sevilla-Real Betis, takim i vlefshëm për javën e 28 të La Liga-s.
Në një “Ramon Sanchez Pizjuan” të zbrazur për shkak të protokollit të pandemisë, sfida në fushë ishte mjaft e luftuar nga të dy ekipet, që kërkonin suksesin në ndeshjen e parë që luanin që prej ndërprerjes së futbollit në mars.
Edhe pse me disa raste për shënim, pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 56′, kur Lucas Ocampos u tregua i saktë në ekzekutimin e një 11-metërshi.
Vetëm 6 minuta më vonë ishte sërish Ocampos që shërbeu për Fernandon dhe ky i fundit dërgoi topin në rrjetë për herë të dytë, duke vulosur suksesin e Sevillas, që me këtë sukses ruan pozitat në vendin e tretë të renditjes.
Top Channel