Do bëjmë plazh me maska dhe doreza? Ja çfarë thotë epidemiologu Ilir Alimehmeti

11/06/2020 17:54

Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar epidemiologu Ilir Alimehmeti. Gjatë fjalës së tij epidemiologu tha se plazhet janë ambiente të sigurta, pasi dhe në kushte normale në to është ruajtur distancimi mes njerëzve, për vetë faktin se hapësirat janë të bollshme. Ndërsa shtoi se njerëzit nuk duhet të humbasin vigjilencën dhe të respektojnë masat e thëna për parandalimin e kësaj pandemie.

Denis Dyrnjaja: A mund të na rriskojë ardhja e turistëve të huaj për ta përhapur epideminë më shumë.

Ilir Alimehmeti: Jo detyrimisht. Ne virusin e kemi mes nesh. Nuk jemi Zelanda e Re, Zelanda e Re supozohet se e ka zhdukur. Ne e kemi, është këtu. Ne duhet të ruajmë me shumë të drejtë ju e përmendët distancimin fizik, se ka diferencë nga distancimi social. Të mbajmë një distancë të shëndetshme nga njerëz të tjerë të panjohur. Nuk kemi përse të shkojmë në grumbullime të mëdha, të panevojshme, të mos harlisemi në këtë drejtim. Kjo funksionon njësoj, në daç personi tjetër është i huaj apo shqiptar. Masa bazë është distancimi më i mundshëm fizik dhe aty ku nuk është i mundshëm, në qoftë se e ndieni veten të rriskuar, përdorimi i maskës.

Denis Dyrnjaja: A do të bëjmë plazh me maska këtë herë e me doreza, e bëj në mënyrë metaforike pyetjen në fakt?

Ilir Alimehmeti: Jo. Plazhi ju garantoj, ju mund të shkoni dhe të merrni pamje në javën më të zënë të plazhit, me numrin më të madh dhe keni për ta parë që ai distancimi një metër e gjysmë në plazh ruhet gjithmonë mes njerëzve, për vetë arsyen se hapësirat janë shumë të mëdha. Në qoftë se nuk mendoni këtë, mendoni sa është rrezja e një çadre, sa sipërfaqe zënë dy shezlonë dhe sa larg janë njerëzit me njëri-tjetrin.

Denis Dyrnjaja: Kini parasysh që plazhi është kontesti i pushimeve, po në plazhe ka restorante, kuble nate, aktivitete të dendura.

Ilir Alimehmeti: Restorantet brenda nuk janë të lejuara, lokalet brenda nuk janë të lejuara, grumbullimet nuk janë të lejuara. Bën sens që ne të kemi një kujdes të shtuar në këtë drejtim. A do të merren si masë apo jo kjo i takon organeve t’i marrin.

Top Channel