Fidanë narkotikë në Durrës/ 2 të shpallur në kërkim dhe 3 të arrestuar, në mesin e tyre dhe kryeplaku i fshatit

10/06/2020 10:42

Tre shtetas kanë rënë në pranga në Durrës, njëri prej tyre kryeplaku i fshatit Kuraten, si dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pas kontrollit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Në vendin e quajtur “Gryka e Xhafës”, në fshatin Shkafane, efektivët kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Kështu u arrestuan shtetasit Z. D., 57 vjeç, banues në fshatin Kuraten, Ishëm, pronari i sipërfaqes së tokës, dhe B. V., 25 vjeç, banues në Shkafane, i dyshuar si kultivues i fidanëve narkotikë të gjetur gjatë kontrollit nga ana e Policisë.

Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit U. D., 67 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Kuraten, Ishëm.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. V., 24 vjeç, banues në fshatin Kuraten, Ishëm, dhe A. F., 23 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, pasi dyshohet se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Top Channel