Ambasada në Suedi nuk ofron aplikim për pasaporta, shqiptarët të bllokuar nga pandemia

10/06/2020 17:57

Muajt e pandemisë botërore nuk ka shkaktuar probleme me shqiptarët që ishin nisur për udhëtime të shkurtra në Evropë tek të afërmit e tyre, apo edhe për turizëm. Por edhe tek ata që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme.

Riatdhesimet ishin njëra anë e medaljes, por problemi tashmë qëndron tek ngecja e procesit të aplikimit për pasaporta, të cilët shumë shqiptarë emigrantë e kryejnë këtë në ambasadat apo zyrat konsullore në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.

Kështu ndodh që nga Amerika e deri në vendet e Evropës për të gjithë ata shqiptarë që kanë qëndrim të rregullt në ato vende por nuk kanë hequr dorë as nga shtetësia shqiptare.

Së fundi në redaksinë e Gazetës Shqip ka mbërritur një ankesë nga një grup shqiptarësh në Suedi, të cilëve nuk u ofrohet aplikimi për pasaporta, ndërsa e kanë thuajse të pamundur të udhëtojnë në Shqipëri për një të re, për shkak të fluturimeve që vijojnë të jenë të bllokuara.

Të pyetur për këtë shqetësim, që është përcjellë edhe nga shumë emigrantë të tjerë nga Greqia, Itali e deri në Gjermani e Kanada autoritetet policore shqiptare e heqin përgjegjësinë nga vetja.

Sipas tyre, për emigrantët që aplikojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, detyrimin ligjor e ka Ministria për Punë e Jashtme dhe Evropën Juglindore. Këta të fundit nuk kanë një përgjigje konkrete, por citojnë aktin normativ të Qeverisë që u miratua pak ditë më parë.

Sipas këtij akti, të gjithë ata persona që kanë pasaporta të skaduara, apo u skadojnë deri në 31 dhjetor të vitit 2020 do të mund të marrin shërbime, ose të vijnë në Shqipëri. Pra, edhe për shqiptarët në Suedi, sipas ankesës së tyre autoritetet thonë se kanë kohë deri në dhjetor të mund të vijnë në Shqipëri, nëse nuk kryhet procedura e aplikimit në vendin ku ata janë vendosur.

Por, në pjesën më të madhe të ambasadave shqiptare si në Romë, Athinë, Milano, Londër, Nju Jork, apo konsullata ofrohet aplikimi për pasaporta, në Suedi nuk ndodh kështu.

Madje, dokumenti që shoqëron këtë shkrim i lëshuar nga Ambasada Shqiptare në Suedi konfirmon se kjo ambasadë nuk e ofron këtë shërbim, duke u bërë të ditur qytetarëve se kush e ofron aplikimin për pasaporta biometrike.

Pavarësisht të gjithave, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka detyrim ligjor të ofrojë një shërbim të tillë, e aq më tepër kur edhe kostot për dokumentet biometrike dhe me çmime jo pak të kripura i paguajnë vetëm emigrantët atje. /SHQIP/

Top Channel