Dhrovjani i vendosur mes maleve të Kazanjës dhe Koqinolitharit në Finiq përfaqëson një prej fshatrave më të bukur malorë në këtë krahinë.

Fshati i 40 puseve të vjetra dhe 16 kishave është ndërtuar ne nje grope te madhe tektonike-karstike historikisht e shfrytëzuar për nxjerrjen e evaporiteve.

“Pusi në qendër të fshatit është i vitit 1898. Kontributi i emigrantëve shpëtoi dhrovjanitët që ngelën si banorë në këtë fshat sepse uji këtu ka qenë një mit. Sipas gojëdhënave që erdhën brez pas brezi nga të vjetrit, pasanikët e fshatit i shfrytëzonin më të varfrit për të marrë ujë burimi nga Driano që është lart në majë të malit. Me orë të tëra shkonin me gomar e bucela atje ose afër Syrit të Kaltër. Kontributi i njerëzve e shpëtoi këtë fshat ndërsa gjatë komunizmit me kooperativat njerëzit filluan të ndërtojnë stera që e merrnin ujin nga çatitë”, shprehet banori Vasil Kaliva.

Ky objekt është një nga 40 puset monumentale të Dhrovjanit. Harresa po vijon këtu për disa dekada duke kërcënuar tani edhe stabilitetin e disa prej objekteve.

“Ne kërkojmë nga shteti ose nga Ministria e Kulturës që të japë një kontribut për restaurimin dhe mirëmbajtjen e këtyre puseve. Siç e shihni këtu në krah gjineshtrat pengojnë të shihet kanali që është bërë nga rrjedha e ujërave në dimër. Ky pus konkretisht rrezikon që të rrëzohet nga ky kanal që është krijuar këtu”, tha Kaliva.

Përveçse monumente kulture këto puse kanë qenë funksionalë deri në fillim të viteve ’90. Në disa prej tyre ende duken gjurmët ku kalonin litarët që nxirrnin me kova ujin nga nëntoka. Është ujë i pastër që filtrohet nga faqja e malit dhe është një burim historik për fshatin që për shumë kohë, dhjetëra dekada ka qenë një zonë pa ujë.

“Ne jemi shumë krenarë që i kemi këto objekte. Kanë vlerë shumë të madhe shpirtërore. Banorët jo vetëm ata që jetojnë këtu por edhe ata në emigracion interesohen por problemet e fshatit janë kaq të shumta sa nuk mund të arrijmë ti mbulojmë të gjitha shpenzimet për t’i rregulluar edhe këto.

Kur është ndërhyrë këtu për herë të fundit?

“Nuk është ndërhyrë asnjëherë as para ’90 as pas ’90. Janë siç i kanë ndërtuar të vjetrit për shembull ky objekti që kemi pas është ndërtuar në vitin 1904 dhe nuk është vënë më dorë.”

“Bashkia nuk ka mundësi që të ndërhyjë që ‘ti restaurojë puset, sepse do një bazë ligjore e cila është kompetencë e Ministrisë së Kulturës. Janë me vlera të padiskutueshme por problemi është se nuk janë shumë të vizitueshme për shkak se ato janë lënë ose në harresë. Ne i jemi drejtuar DMK dhe ministrisë dhe jemi në pritje të përgjigjes nga ana e tyre”, shpjegon Vangjel Xhaferi, përgjegjës i trashëgimisë dhe turizmit në bashkinë e Finiqit.

40 puset madhështore të Dhrovjanit u shpallën monumente kulture në vitet 70 bashkë me 3 prej 16 kishave dhe disa banesa tradicionale të tipit kullë. Sot gjendja e këtyre monumenteve është kritike.

 

Top Channel