Një 55-vjeçar është plagosur mëngjesin e së hënës para shtëpisë së tij në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, teksa është qëlluar në largësi me snajper.
55-vjeçari Ardian Çapja ka marrë një plumb në shpatull dhe është dërguar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit të së hënës, ndërsa policia njoftoi se po punohet për zbardhjen e ngjarjes, por pa dhënë detaje te tjera. Vetëm pak minuta më vonë në anën tjetër të qytetit, një efektiv i zjarrfikëses së Elbasanit është plagosur në këmbë teksa përpiqej të fikte zjarrin në një makinë të braktisur buzë lumit Shkumbin në lagjen Fushë Mbret të Elbasanit. Makina ka pasur municione të cilat kanë shpërthyer dhe për pasojë plumbi ka marrë në këmbë efektivin zjarrfikës. Banorët e zonës ku u është djegur mjeti tregojnë tmerrin e përjetuar, teksa plumbat shpërthenin.
Në të njëjtën makinë policia gjeti edhe një armë tip snajper, ndërsa vazhdojnë hetimet nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Zyrtarisht policia nuk i ka lidhur ende të dyja ngjarjet, që kanë ndodhur brenda një harku të shkurtër kohor distance nga njëra-tjetra. Policia ka gjetur të fshirë numrin e serisë së snajperit, ndërsa analiza balistike do zbulojë nëse kjo armë është përdorur në atentatin ndaj 55-vjeçarit.
Top Channel