Ish-kryeministri Kurti: Edhe të shtunën punon Qeveria që i shërben Serbisë

06/06/2020 12:51

Pas vendimit të kryeministrit Hoti për të hequr reciprocitetin me Serbinë ka reaguar kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Kurti tha se qeveria me në krye Avdullah Hotin po mban mbledhje edhe të shtunën që të heqin reciprocitetin me Serbinë.

“Edhe e paligjshme në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë

Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, ka shkruar kryetari i VV-së në Facebook.

Kurti shtoi se me vendimin e sotëm të kryeministri Hoti” i ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme në dialog me Serbinë, kur ka deklaruar se me heqjen e reciprocitetit ka hequr pengesat për dialog”.

“Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveçqë dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogu”, u shpreh Kurti.

Top Channel