Dyshimet për klorokinën/ Nuk vërtetohet studimi për rrezikshmërinë

05/06/2020 12:36

Një artikull me ndikim sipas të cilit hidroksiklorokina rriste rrezikun e vdekjeve tek pacientët me koronavirus është tërhequr pas shqetësimeve për të dhënat e tij.

Tre nga autorët e studimit thanë se nuk mund të mbrojnë më vërtetësinë e tij sepse Surgisphere, një kompani e kujdesit shëndetësor që ka ofruar të dhënat, nuk lejon një rishikim të pavarur të të dhënave të saj. Zbulimet e këtij studimi bënë që OBSH të pezullonte testimin e saj për ilacin që lufton malarjen. Por, liderë, mes të cilëve edhe presidenti Donald Trump, vazhdojnë të inkurajojnë përdorimin e tij. Drejtori ekzekutiv i Surgisphere, autori i katërt i studimit, tha për The Guardian se do të bashkëpunonte me një audit të pavarur por shtoi se transferimi i të dhënave do të përbënte shkelje të marrëveshjeve me klientët dhe të kërkesave për konfidencialitet.

Kërkuesit e publikuan artikullin muajin e shkuar në revistën mjekësore The Lancet, dhe në studimin e tyre përfshiheshin 96 mijë pacientë me koronavirus në 671 spitale të botës. Rreth 15 mijë prej tyre u ishte dhënë hidroksiklorokina, ose një formë e ngjashme me të, klorokina, vetëm ajo ose e shoqëruar me një antibiotik. Studimi doli në përfundimin se ilaçi nuk kishte patur rezultate pozitive në luftimin e koronavirusit dhe se kishte rritur rrezikun që pacientët të zhvillonin ritme të parregullta të zemrës e madje edhe vdekje. Në fakt, ka shqetësime në komunitetin shkencor për përdorimin e ilaçeve të tilla në trajtimin e koronavirusit.

Hidroksiklorokina është e sigurt në trajtimin e malarjes dhe sëmundjeve të tjera si lupus apo artrit. Por nuk ka prova që të rekomandohet përdorimi i saj kundër Covid 19. Universiteti i Minesotës e ka testuar dhe thotë se nuk është efektive në parandalimin e koronavirusit. OBSH tha ndërkohë të mërkurën se do të rifillonte testimin e saj pas ndalimit muajin e shkuar. Të tjera studime po vazhdojnë në Britani, SHBA dhe Senegal. Pavarësisht shqetësimeve për sigurinë dhe efikasitetin, presidenti amerikan tha në maj se ai po merrte hidroksiklorokinën si masë parandaluese për Covid 19 ndërsa presidenti brazilian, Jair Bolsonaro tha se hidroksiklorokina funksionon kudo.

Top Channel