Alarm në Serie A/ Dëmtimet shkaktojnë 9 “viktima”

04/06/2020 11:43

Pauza e gjatë e shkaktuar nga coronavirusi, ka bërë që të rriten shqetësimet në futbollin italian në lidhje me dëmtimet e futbollistëve.

Tashmë kanë mbetur 2 javë nga rifillimi i aktiviteteve futbollistike në vendin e Apenineve dhe skuadrat po përballen me këtë problem teksa janë duke u përgatitur për një maratonë të vërtetë në këtë fund sezoni atipik.

Skuadrat janë në ditët e para të stërvitjes në grup në fushë pas periudhës së izolimit gjatë së cilës u deshën të gjejnë mënyra të ndryshme për të ruajtur formën e tyre sportive, gjë që solli edhe një mungesë të ekuilibrit dhe si pasojë janë shfaqur probleme artikularë apo traumatikë, diçka që nuk konsiderohet e çuditshme. Por ato që shqetësojnë më shumë klubet janë dëmtimet muskulare të lojtarëve të cilët në 2 gusht duhet të mbyllin sezonin dhe duhet të jenë të gjithë në dispozicion.

Deri tani në total janë 9 futbollistë të dëmtuar në këtë periudhë postcoronavirus, pjesë të thuajse të të gjitha klubeve të Serie A me përjashtim të Atalantës, Bolognas dhe Interit. Një prej ekipeve që e kanë paguar shtrenjtë është Milani me problemet muskulare të Ibrahimovic e sidomos Duartes. Edhe Roma ka dërguar 2 futbollistë në infermieri Pau Lopez dhe Perotti, ndërsa Napoli humbet Manolas për 1 muaj. Në këtë pikë të vetmit që mund të gëzohen janë ata futbollistë që e konsideruan të mbyllur sezonin para pandemisë, por që tani mund të rikthehen në fushat e lojës

Top Channel