Pas 3 muajsh pauzë për shkak të pandemisë coronavirus, futbolli shqiptar ringre siparin e tij për këtë sezon. Sot do të luhen ndeshjet e javës së 27 ku spikat supersfida mes Partizanit dhe Skënderbeut.

Në dy fazat e para janë regjistruar nga 1 fitore për çdo skuadër, me skuadrën korçare që ka një avantazh prej 3 pikësh ndaj të Kuqve. si Skënderbeu ashtu edhe partizani janë larg luftës për titull pasi kanë respektivisht 41 dhe 38 pikë kështu që dueli mes tyre do të jetë për zonën evropiane. Një vëmendje të veçantë ka edhe sfida mes Bylisit dhe Tiranës, një ndeshje kjo për të cilën në orët e fundit u ngritën shumë pikëpyetje për shkak të pozitivitetit me covid-19 të Eridon Qardakut.

Sfida do të luhet rregullisht në orën 17:00 pasi Bylis konfirmoi se lojtarët dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë në testet për coronavirus, ndërkohë që pritet testi i dytë për Qardakun. në këtë ndeshje Tirana do të kërkojë të rinisë kampionatin aty ku e la e të vijojë rrugën drejt titullit, por Bylis është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Rivali më i afërt i Tiranës, Kukësi i vendit të dytë e pret një ndeshje e lehtë në letër teksa në Elbasan Arena do të presë Luftëtarin e vendit të parafundit, ndërkohë që një duel i fortë është edhe ai mes Lacit dhe Teutës, dy skuadra që janë me pikë të barabarta dhe që janë në garë të plotë për në kompeticionet evropiane. në Vlorë, Flamurtari do të presë Vllazninë. skuadra kuqezi është në vendin e fundit me 11 pikë dhe është shumë pranë rënies nga kategoria, ndërsa Vllaznia kërkon që të evitojë ndeshjet e playoffit. Ndeshjet sigurisht do të zhvillohen pa tifozë sic parashikohet në protokollin sanitar, por tifozët do të kenë mundësi ta ndjekin atë nëpërmjet platformës Digitalb.

Top Channel