Partizani dështon në shtëpi, mposhtet nga Skënderbeu

03/06/2020 23:01

Partizani e rinisi sezonin i paprekur nga COVID-19, por i pashëruar nga ai “virus” që po e bën kampionatin e të kuqve gjithnjë e më zhgënjyes. Në sfidën përmbyllëse të javës së 27-të të Superiores, skuadra e drejtuar nga Adolfo Sormani u mposht 1-2 nga Skënderbeu në “Selman Stërmasi”, duke u larguar edhe më shumë nga objektivi Europë.

Jo vetëm kaq, pasi me këtë disfatë Partizani është skuadra më e rrezikuar, pas Bylisit, për t’u përballur në play out me ekipin e tretë më të mirë të Kategorisë së Parë.

Mjaftuan vetëm dy minuta shthurje në fundin e pjesës së parë të marrë një humbje që mund të ketë shumë pasoja për objektivat e mbetur të sezonit.

Takimi nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-futbollistit të ri të Skënderbeut, Dorian Tahirllari, që humbi betejën me sëmundjen e rëndë pak ditë më parë.

Partizani u shfaq më agresiv në fillimin të pjesës së parë, duke iu afruar golit në disa raste me Bardhin dhe të riun Cara,  e veçanërisht me Çinarin, ndërsa Alban Hoxha reagoi mirë ndaj tentativave të Bregut dhe Hoxhës.

Mirëpo kapiteni i të kuqve i kap gafil në momentin e ekzekutimit të një këndoreje (43’), duke mos kontrolluar goditjen fluturimthi të Gripshit nga jashtë zonës, me topin që përfundoi në rrjetë.

Vetëm një minutë më vonë, Bruno Dita, thuajse në pikën e penalltisë shënoi të dytin, i ndihmuar edhe nga devijimi i një mbrojtësi të kuq.

Partizani i mundua të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes në pjesën e dytë, por rrezikoi të ndëshkohej nga Krasniqi (57’), të cilit i mohoi golin Hoxha. Pretendojnë për 11-metërsh të kuqtë, pas prekjes së të topit me dorë nga Dita brenda zonës, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Jorgji.

Gjithsesi, pas shumë përpjekjesh Partizani arriti të shkurtonte diferencën me Ferhatin në minutën e 85-të, por koha e mbetur para se Jorgji të vërshëllente për përfundimin e takimin rezultoi e pamjaftueshme për të shmangur humbjen.

Me këtë sukses Skënderbeu ngjitet i treti, me vetëm 3 pikë më pas se Kukësi, ndërsa Partizanit rrëshqet në vendin e 7-të, me pikë të barabarta me Vllazninë por me golaverazh më të dobët.

Top Channel