Në spitalet italiane po shënohen gjithmonë e më pak raste të rënda me Covid 19. Cfarë po ndodh, pyesin mediat, sepse virusi, nuk është larguar ende plotesisht.
Ekspertët mendojnë se dicka ka ndryshuar. Koronavirusi është shumë më pak agresiv tani sipas tyre. Edhe në spitalet e Lombardisë, rajoni më i goditur ne vend prej Covid 19, këto kohët e fundit kanë mbërritur shumë pak pacientë të rinj dhe të gjithë me simptoma të buta. Sëmundja nuk është larguar, por ajo vret më pak.
Përse? Sipas një studimi që pritet të publikohet në Clinical Chemistry and Laboratory Medicine, kjo mund t`I detyrohet faktit që është në interesin e virusit të mbijetojë sa më gjatë brenda një organizmi, cka normalisht nuk ndodh kur ai e vret bartësin e vet. Ky variant, që i ngjan më shumë një skenari hollivudian, tregon se në qarkullim mund të jenë tani disa lloje më pak “ të këqija” të virusit që po përshtatet në përpjekje për të rezistuar sa më gjatë.
Ndërkohë, është edhe hipoteza gjeresisht e përhapur që Sars-CoV-2 ka aktualisht një ngarkesë më të ulët virale. Mjeku Alberto Zangrillo, drejtori i shërbimit të Anestezisë së spitalit San Raffaele të Milanos, thotë se analizat e kampionëve të marra nga tamponët e 200 pacientëve tregojnë se virusi tek të sëmurët e muajit maj është shumë më i dobët sesa ai i pacientëve të shtruar atje në muajin mars.
Top Channel