Thaçi do të kundërshtojë çdo masë që e pamundëson dialogun

02/06/2020 10:14

Ashpërsimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nga ana e qeverisë në detyrë, është kundërshtuar nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçi.

Ky kundërshtim nga ana e organizatave të shoqërisë civile po shihet si arsye sepse kreu i shtetit dëshiron që Kosova të kthehet sa më shpejt në dialog.Qeveria në detyrë, ka marrë vendim për ashpërsimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, ku çdo maunë që hynë në Kosovë duhet ta ketë të shkruar në dokumente “Republika e Kosovës”. Për këtë vendim presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti po e vazhdon mashtrimin patriotik dhe se po cenon raportet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se çfarëdo mase që do të vendoset e që do ta pengonte dialogun do të kundërshtohet nga presidenti, pasi që sipas tij mendimi i presidentit është që Kosova sa më shpejtë të kthehet në dialog.

“Ne e dimë cila është ideja apo mendimi i presidentit Thaçi, ai është që sa më shpejt Kosova të kthehet në dialog. Me gjasë në një periudhë të shpejtë dhe të arrijmë një marrëveshje ta themi përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Në drejtim të kësaj çfarëdo mase që vendoset do ta pengojë këtë dialog dhe me gjasë presidenti do të jetë kundër. Presidenti ka qenë kundër edhe në kohën kur në qeverinë e kaluar është vendosur taksa dhe ka kërkuar vazhdimisht që taksa të hiqet dhe normalisht edhe tash kërkon që reciprociteti të mos vendoset ose tash pasi që është vendosur të hiqet, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut. Sepse çdo masë që vendoset e që në një mënyrë mund ta pengojë të paktën idenë e tij për dialogun ai do ta kundërshtojë”, thotë ai.

Edhe Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se kundërshtimi i reciprocitetit nga ana e presidentit ka qenë e pritshme, pasi sipas saj fokusi i kreut të shtetit është që procesi i dialogut të vazhdojë dhe të ketë një përfundim sa më të shpejtë.

“Që nga momenti kur kanë filluar të diskutohen vendosja e masave të reciprocitetit ka pasur një kundërshtim direkt nga ana e presidentit, ngaqë i njëjti ka qenë më i fokusuar në krijimin e mundësisë së vazhdimit të procesit të dialogut me Serbinë nën termat e Serbisë. Kjo bile është ose konsiderohet të jetë njëra ndër arsyet edhe të prishjes së koalicionit dhe votimit të mocionit të mos besimit ndaj qeverisë Kurti, gjë që ne mendojmë se ka qenë orkestrim i presidentit. Do të thotë, kjo gjë ka qenë e pritshme dhe pritet që presidenti t’i kundërshtojë këto masa, meqenëse fokusi i tij është që procesi i dialogut të vazhdojë dhe të ketë një përfundim sa më të shpejtë”, deklaroi ajo.Njëjtë shprehet edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili kundërshtimet mes presidentit Thaçi e kryeministrit në detyrë Kurti i sheh në kuadër të ballafaqimit të tyre ditor politik.

“Të gjitha mospajtimet dhe kundërthëniet që kanë pasur dy liderët kryesorë institucionalë i shoh në kuadër të prizmit të mospajtimeve të vazhdueshme që ata kanë sa i përket fazës përfundimtare të dialogut. Pra, në njërën anë kemi presidentin Thaçi i cili në vazhdimësi i ka shtyrë përpara heqjen e të gjitha masave, në mënyrë që të respektohet kërkesa sidomos e SHBA-ve për një gjë të tillë dhe që të hyjmë në fazën përmbyllëse të dialogut. Në anën tjetër nga ajo çka kemi parë kryeministri në detyrë Kurti ka pasur një qasje dukshëm më hezituese për një fazë të tillë duke e vlerësuar atë si ende jo të duhur, për shkak se nuk janë bërë as përgatitjet e nevojshme, mirëpo as nuk ekziston një plan se çka do të trajtohet në një marrëveshje eventuale”, shprehet ai.

Ashpërsimin e masave të reciprocitetit e ka kundërshtuar edhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajcak. Ndërkohë, që heqje të reciprocitetit ka paralajmëruar i mandatuari për kryeministër Avdullah Hoti.Qeveria e Kosovës më 31 mars kishte marrë vendim për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe vendosjen e dy masave tregtare të reciprocitetit.

Top Channel