Meta: Pres me padurim konsensusin e palëve brenda 31 Majit. Do t’i dekretoj

29/05/2020 13:38

Presidenti i vendit, Ilir Meta tha se do të miratonte ndryshimet e kodit zgjedhor dhe se mezi priste përmbylljen e tyre në Këshillin Politik.

“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë.

Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren”, tha Meta.

Ndërsa shtoi se për datën e zgjedhjeve: Nuk do bëj konsultime për datën e zgjedhjeve. Duhet të ecet me frymën e konsensusit. Do i drejtohem botës demokratike për zgjedhjet e ardhshme mbi monitorimin e tyre.

Top Channel