“Një i bardhë nuk ka epërsi mbi një të zi, dhe as një e zi nuk ka epërsi mbi një të bardhë”, citoi Erdogan thënien profetike, duke shtuar se do të luftojnë për të mbrojtur të drejtat e gjithë njerëzimit pa diskriminim.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, dënoi ashpër dhunën policore nga e cila jetën humbi afro-amerikani George Floyd në SHBA, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.
“Qasja raciste dhe fashiste që çoi në vdekjen e George Floyd në qytetin amerikan Minneapolis si rezultat i torturës, jo vetëm që na ka trishtuar thellë të gjithë ne, por gjithashtu është bërë një nga manifestimet më të dhimbshme të rendit të padrejtë që i qëndrojmë kundër në gjithë botën”, shkroi Erdogan në Twitter.
George Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën në Minneapolis, Minesota, pasi, siç thuhet, u denoncua për përdorim të një kartemonedhe të falsifikuar prej 20 dollarësh në një dyqan, dhe vdiq gjatë dhunës së arrestit.
Presidenti Erdogan më tej tha se e dënon këtë “mentalitet çnjerëzor, si një anëtar i civilizimit islam, i cili na mëson të duam njerëzimin për shkak të Krijuesit”.
“Turqia gjithmonë qëndron kundër të gjitha sulmeve që e kanë në shënjestër njerëzimin, pavarësisht se ku, me çfarë preteksti ose në çfarë forme kryhen”, shtoi ai.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të mbrojtur të drejtat e gjithë njerëzimit pa asnjë diskriminim të bazuar në racën, ngjyrë, fene, gjuhën ose besimin, në përputhje me parimin e profetit tonë, ‘Një i bardhë nuk ka epërsi mbi një të zi, dhe as një e zi nuk ka epërsi mbi një të bardhë'”, theksoi Erdogan.
Top Channel