Princi Harry rikthehet në Britani pas 6 vitesh: Fantastike të jem sërish në tokën britanike
Papa Leone XIV vijon vizitën e tij apostolike në Francë. Në ditën e dytë të qëndrimit në vend, të shtunën më 26 shtator, kreu i Kishës Katolike zhvilloi disa takime në Paris, përpara se të udhëtonte drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik.
Gjatë paradites, Papa vizitoi qendrën e pritjes “Maison Bakhita”, ku u takua me komunitetin e migrantëve. Më pas ai zhvilloi një takim me katekumënët, të rritur që po përgatiten për të marrë sakramentin e pagëzimit.
Në orët e pasdites, Leone XIV kremtoi meshën në Place de la Concorde, ku ishin mbledhur rreth 700 mijë besimtarë. “Maison Bakhita” është një projekt i nisur në vitin 2018 nga Kryedioqeza e Parisit, në kuadër të përpjekjeve për pritjen dhe integrimin e migrantëve.
Gjatë takimit, Papa iu referua Shën Bakhitës, ish-skllaves sudaneze që u shpall shenjtore, duke vënë në pah rolin e grave në ndërtimin e një “qytetërimi të dashurisë”.
Leone XIV falënderoi të gjithë ata që punojnë në qendër dhe theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku njerëzit mund të gjejnë mbështetje, besim dhe shpresë.
“Askush nuk është aq i varfër sa të mos ketë diçka për të dhënë; askush nuk është aq i pasur sa të mos ketë diçka për të marrë”, u shpreh Papa.
“Jam i befasuar nga numri i të rriturve që kërkojnë pagëzimin”
Më pas, Papa u takua me katekumënët në Institutin Katolik të Parisit. Ai tha se ishte i befasuar nga numri i njerëzve që po i afrohen sërish besimit dhe veçanërisht nga numri i të rriturve që kërkojnë sakramentet e inicimit të krishterë.
Leone XIV vuri në dukje se kjo dukuri është veçanërisht domethënëse në një shoqëri franceze të karakterizuar nga një nivel i lartë sekularizimi.
Sipas tij, përvoja e këtyre njerëzve është një dëshmi e gjallë e asaj që ai e cilësoi si veprimin e hirit të Zotit, përtej analizave statistikore dhe sociologjike.
Rritje e numrit të pagëzimeve në Francë
Sipas të dhënave të Konferencës Ipeshkvnore Franceze, gjatë Pashkëve të këtij viti në Francë u pagëzuan 21,386 katekumënë, prej të cilëve 13,234 të rritur dhe 8,152 adoleshentë.
Numri i përgjithshëm është rritur me rreth 20% krahasuar me vitin 2025. Rritja është veçanërisht e dukshme te të rriturit, me rreth 28%, ndërsa te adoleshentët është rreth 10%.
Papa u bëri thirrje komuniteteve katolike që këtë rikthim të të rinjve dhe të rriturve te besimi ta shoqërojnë me formim të përshtatshëm shpirtëror.
700 mijë besimtarë në Place de la Concorde
Më pas, Papa Leone XIV u prit nga një turmë e madhe besimtarësh përgjatë Champs-Élysées, nga Harku i Triumfit deri në Place de la Concorde, ku u zhvillua mesha.
Rreth 700 mijë persona morën pjesë në ceremoninë fetare, ndërsa shumë prej tyre e pritën Papën duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar himne.
Gjatë meshës, Leone XIV iu drejtua veçanërisht të rinjve. “Ju jeni Kisha e sotme”, u tha ai, duke vlerësuar entuziazmin dhe energjinë e tyre.
“Mos e mbani besimin vetëm për veten”
Në fjalën e tij, Papa u bëri thirrje katolikëve francezë që të mos e jetojnë besimin vetëm në mënyrë private.
Ai i ftoi ata të rizbulojnë besimin dhe ta shndërrojnë atë në një burim shprese për shoqërinë.
“Mos e mbani besimin në Jezu Krishtin vetëm për veten tuaj, por lëreni të rrjedhë për të ushqyer dhe mbushur me shpresë njerëzit që takoni”, tha Leone XIV.
Ai shtoi se besimtarët duhet të çojnë shpresën “aty ku mbizotëron dekurajimi dhe thatësia shpirtërore”.
Më pas, Papa udhëton drejt Lourdes
Pas përfundimit të programit në Paris, Papa Leone XIV u nis drejt Lourdes, në jugperëndim të Francës.
Atje ai do të vizitojë shenjtëroren e famshme mariane dhe do të drejtojë lutjen pranë shpellës ku, sipas traditës katolike, Shën Bernadeta Soubirous përjetoi shfaqjet e Virgjëreshës Mari.
Vizita në Lourdes është një nga momentet kryesore të udhëtimit apostolik të Papës në Francë.
Personalitetet e pranishme në Paris
Në mesin e personaliteteve që morën pjesë në ceremoninë në Paris ishin ish-presidenti Nicolas Sarkozy, presidenti i republikanëve Bruno Retailleau, presidentja e rajonit Île-de-France Valérie Pécresse, ish-kryeministri François Fillon, Gabriel Attal, Dominique de Villepin dhe Eric Zemmour.
Ndërkohë, ishin parashikuar të merrnin pjesë edhe ish-kryeministri Édouard Philippe, Marine Le Pen dhe kryeministri aktual Sébastien Lecornu.
Presidenti Emmanuel Macron nuk mori pjesë në meshën e zhvilluar nga Papa, pasi Presidenca franceze kishte njoftuar më herët se ai nuk do të ishte i pranishëm në asnjë prej meshave të kësaj vizite.
Top Channel