Thaçi kundër bashkëpunimit me Lajcak, raportuesja në BE: S’është zgjedhja jote!

27/05/2020 14:21

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka reaguar në Twitter pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi se nuk ka vullnet të përfshihet në procesin e negociatave me Serbinë që udhëhiqet nga i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Von Cramon shkruan se një lider i përgjegjshëm duhet të flasë me negociatorët ndërkombëtarë, dhe se kjo nuk është sipas saj, një zgjedhje personale.

“Miroslav Lajcak ka dëshmuar se ai është duke punuar për negociata të orientuara drejt rezultatit. Dhe kjo është më e rëndësishmja për Hashim Thaçin”, shprehet Von Cramon.

Presidenti kosovar më herët deklaroi se pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara nuk mund të zgjidhen çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë kam besim të plotë në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se këtë proces do ta dinamizojnë dhe përmbyllin suksesshëm, siç kanë përmbyllur suksesshëm të gjitha çështjet që kanë qenë të hapura në Ballkanin Perëndimor prej tre dekadash. Do të thotë se pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, nuk ka faktor që mund t’i lëvizë këto gjëra, në veçanti çështjet shumë të rëndësishme, delikate dhe të vështira që janë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë,” qe shprehur ai.

Top Channel