Tensione, lëvizje trupash ushtarake në kufirin Kinë-Indi në Himalaje

27/05/2020 19:19

Tensionet mes Kinës e Indisë në kufirin e tyre në zonën e Himalajeve po përshkallëzohen teksa Kina është akuzuar për lëvizje trupash në territoret e kontestuara, dhe për zgjerim të një baze ajrore në rajon.

Trupat kineze janë raportuar të shtohen në zonën Ladakh të kufirit lindor të vendit, duke ngritur tenda e duke stacionuar atje mjete e makineri, në territorin që pretendohet edhe nga India.

Si reagim ushtria indiane me zhvendosur disa batalionë këmbësorie në ato që quan “zona operacionale alarmi”.

Lëvizjet agresive ushtarake vijnë pas dy përplasjeve mes trupave më 5 e 9 maj në kufirin pranë liqenit Pangong dhe zonës Sikkim, ku u plagosën disa dhjetra ushtarë nga të dyja palët.

Sot presidenti amerikan Donald Trump komentoi mbi çështjen duke thënë se “kam informuar si Kinën dhe Indinë se SHBA është e gatshme dhe e vullnetshme të ndërmjetësojë ose vendosë për çështjen e debatit kufitar”.

Kufiri i lartësisë së madhe është debatuar ashpër dhe është militarizuar që prej vitit 1962 kur mes palëve nisi një përplasje e shkurtër por e përgjakshme.

Ish-ambasadori indian në Kinë, Ashok K Kantha, tha: “Përshkallëzimi është serioz, nuk mendoj se është diçka e lokalizuar. Kësaj here sjellja e Kinës është më agresive. Mund të jetë një pretendim territorial ose pjesë e mesazhit për Indinë se duhet të bëjnë kujdes me çështjet e ndjeshme gjeopolitike”.

Veprimet e Kinës duket se janë një reagim ndaj ndërtimit të rrugëve dhe fushave ajrore pranë vijës kufitare. Ndërtimi ishte ndërprerë gjatë pandemisë së koronavirusit por pritet të rifillojë së shpejti.

Top Channel