Koronavirusi në SHBA, së shpejti 100 mijë viktima

26/05/2020 00:50

Në shkallë globale numërohen mbi 5.3 milionë raste me koronavirus dhe më shumë e 335 mijë viktima. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve. Ndërkohë, numri i viktimave në SHBA pritet të arrijë së shpejti në 100 mijë dhe po shtohet presioni për të rihapur ekonomine dhe aktivitetin normal.

Me lehtësimin e masave kufizuese, vizitorët mbushën plazhet në këtë fundjavë ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se është ende shumë herët për të folur për normalitet. Gazeta New York Times i dedikoi një ditë më parë gjithë faqen e saj të parë faktit se totali i viktimave nga koronavirusi po arrin në 100 mijë vetë. Artikulli përmbante emrat e shumë prej viktimave me fakte nga jeta e tyre.

Ndërkohë Presidenti Trump u bëri thirrje autoriteteve shtetërore të lejojnë rihapjen e objekteve fetare. Por shumë objekte fetare kanë kaluar probleme gjatë javëve të fundit kur gjatë shërbesave besimtarët janë ekspozuar ndaj personave të infektuar.

Përditë e më shumë qytete po rihapin restorantet e biznese të tjera në përpjekje për të kapërcyer goditjen ekonomike nga pandemia. Por ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një valë të dytë infeksioni me ardhjen e vjeshtës.

Nëse virusi rishfaqet, presidenti Trump ka thënë publikisht se nuk ka në plan të rivendosë masa kufizuese apo të mbyllë ekonominë, megjithëse mund të rritet rreziku i infektimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA