TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka paralajmëruar autoshkollat që ushtrojnë aktivitetin e tyre se nëse nuk do të zbatojnë masat anti Covid-19 do të ndëshkohen me gjoba dhe deri në mbylljen e aktivitetit.
Sipas një njoftimi të bërë nga vetë DPSHTRR thuhet se Task-Forca e Transportit Rrugor vijon monitorimin dhe kontrollet në klasa e në procesin mësimor si dhe në terren për sa i përket aplikimit të masave mbrojtëse.
“Zbatimi i masave anti-Covid19 nga ana e Autoshkollave është detyrim ligjor! DPSHTRR dhe Task-Forca e Transportit Rrugor vijon monitorimin dhe kontrollet në klasa e në procesin mësimor që ka rinisur nga dt. 11.05! Nuk do donim kthim mbrapa ndaj disiplina, kujdesi, serioziteti në mbrojtjen e aplikantëve dhe personelit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën dhe vijimin e aktivitetit ekonomik të këtij sektori! Çdo mangësi apo pakujdesi do jetë subjekt penalizimesh edhe nga Njësia Operacionale Anti-Covid (Task-Forca ndërinstitucionale) dhe Policia e Shtetit!”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR.
Autoshkollat rinisën aktivitetin e tyre në mësimin teorik më11 maj, ndërsa praktika më 18 maj. Autoshkollat tashmë duhet të respektojnë protokollin e sigurisë dhe nuk do të lejojnë më shumë se një kursant në makinë.
Gjatë teorisë duhet të respektohet distanca e sigurisë mbi 1.5 metra si dhe duhet të respektohet, higjiena sikurse edhe në seancat online. Ndërsa faza e dytë që nisi nga 18 Maji që kishte të bënte me instruksionin në rrugë u përcaktua se nuk do të lejohej më shumë se 1 praktikant në kabinë përveç rasteve kur janë familjar.
Top Channel