Në kushtet e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga pandemia, mes shumë aktiviteteve publike të anuluara, u anulua edhe konkursi në shkollën e magjistraturës, prej nga ku do të fitojnë me të mirët që duan të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë.
Konkursi i anuluar duhej të zhvillohej në datën 20 prill ndërkohë që shkolla njofton rikthimin e pretendenteve në qershor.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka bërë me dije se provimet do të bëhen nga 26-29 qershori në orën 09:00 në Pallatin e Kongreseve. Konkurrentët do të testohen në dy faza, në anën profesionale, psikologjike, por edhe në vetting. Gjithsej do të fitojnë të drejtën 75 persona si gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 25 të tjerë do të fitojnë të drejtën e ushtrimit të detyrës si ndihmës apo këshilltarë ligjorë.
“Ky është opsioni i vetëm që të mbush gropën e krijuar në sistemin e drejtësisë. Deri më tani nga procesi i vettingut janë shkarkuar 102 prokurorë dhe gjyqtarë. 246 raportohen se janë kontrolluar deri tani,mes tyre llogariten edhe 30 të dorëhequr nga procesi.Në detyrë është konfirmuar një numër i vogël i këtyre subjekteve, 86 në krahasim me 102 prokurorë dhe gjyqtarë që janë shkarkuar apo dorëhequr. “ tha gazetarja Anila Hoxha.
Nga ana tjetër vettingu ka pezulluar punën për shkak të pandemisë. KPK së fundmi ka miratuar protokollin e nisjes së seancave por ende nuk ka një datë konkrete se kur mund të rinisi procesi. Më e rëndësishmja gjatë plotësimit të mozaikut të drejtësisë lidhet me pritjen e qytetarëve për të marrë drejtësi në Gjykatën e Lartë. Stoku ka mbërritur në 35 mijë e 313 çështje që presin të marrin zgjidhje.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se është mbyllur procesi i aplikimeve për ndihmës dhe nënpunës ligjor, në Gjykatën e Lartë dhe gjithsej ka 400 të interesuar. Nga këta fitues do të jenë 20 prej tyre. në fazën e ardhshme do të bëhet kontrolli i formularëve dhe intervistimi i tyre.
Top Channel