Kriza e koronavirusit ka goditur rëndë njërin nga destinacionet kryesore turistike në botë, Evropën duke prishur planet e pushimeve të verës që mbajnë gjallë rajonin dhe duke e lënë industrinë e tij disa-miliarda dollarëshe të turizmit të përpiqet të mbijetojë.

Bashkimi Evropian shpreson të paktën të nxisë turizmin brenda bllokut, si një shenjë tjetër e unitetit të BE-së. Por siç njofton korrespondentja Lisa Bryant e Zërit të Amerikës nga Parisi, përkthimi i këtij qëllimi në realitet nuk do të jetë aq i lehtë.

Një verë normale në Paris, destinacioni numër një në botë për turizmin. Kjo ishte përpara Covid-19.

Ashtu si pothuajse çdo gjë tjetër, industria e turizmit e këtij qyteti po pajtohet me një realitet të ri pas krizës, ndërsa po heq masat e bllokimit.

Në të gjithë Francën, hotelet, restorantet dhe shumë plazhe mbeten të mbyllura të paktën deri në fillim të muajit të ardhshëm.

Festivalet e verës janë anuluar.

Trafiku i aeroporteve ka rënë ndjeshëm.

Është e njëjta histori në të gjithë Bashkimin Evropian, ku turizmi përbën afërsisht 10 përqind të PBB-së dhe 12 përqind të vendeve të punës.

“Ajo që po shikoni është një industri pothuajse e zhdukur. Pra, goditja ka qenë jashtëzakonisht e vështirë”, thotë Tim Fairhurst, sekretar i përgjithshëm I Shoqatës Evropiane të Turizmit.

Vetëm tani turizmi dhe kufijtë kanë filluar të rihapen në disa vende, pasi përgatiten për biznesin veror. Këto vende përfshijnë Italinë dhe Greqinë të goditura financiarisht, me vetëm disa udhëtime ndërkombëtare të lejuara që nga qershori.

Komisioni Evropian dëshiron t’i japë lëvizjes një nxitje – plani i tij i ri i veprimit ofron udhëzime për rihapjen e kufijve dhe për të ndihmuar sektorët e transportit dhe turizmit të mirëpresin klientët duke krijuar siguri.

“Udhëzimi i sotëm mund të japë një shans për një sezon më të mirë për shumë evropianë, jetesa e të cilëve varet nga turizmi – dhe, natyrisht, për ata që dëshirojnë të udhëtojnë këtë verë”.

Por përkthimi i një qëllimi pan-Evropian në realitet mund të jetë më i ndërlikuar.

Së bashku me paketat masive të shpëtimit të turizmit, vendet e BE-së si Franca po parashtrojnë gjithashtu stimuj për të promovuar turizmin vendas por jo domosdoshmërisht atë ndër-kufitarë.

Udhëzimi i BE-së është gjithashtu jo detyrues. Ekspertët thonë se shtetet mund të krijojnë një rregullore, përfshirë karantinat e mundshme — dhe ndoshta të kufizojnë hapjet kufitare për fqinjët ose të tjerët me shkallë të ngjashme të infeksionit të koronavirusit.

“Ka vërtet një pyetje të përgjigje; sa do të jetë me të vërtetë i mundur udhëtimi këtë verë? Unë pres që shumë njerëz, nëse pushojnë, do të zgjedhin të pushojnë brenda vendeve të tyre, thjesht sepse paraqet më pak komplekse”, thotë Scott Marcus në organizatën Bruegel.

Dhe si përgatitet industria për të gjithë këtë pasiguri? Sidomos në vendet si Franca ku nuk është e sigurt nëse dhe kur kufijtë do të rihapen këtë verë…

“Përgjigja e shkurtër është me shumë vështirësi. Sepse derisa të dihen cilat janë kushtet e biznesit, nuk mund të vendoset një çmim, nuk mund të bësh plane, nuk mund të shesësh. Nuk ka asnjë kuptim të presësh turistë në Paris, nëse ata nuk mund të hyjnë në muze për shembull”, thotë Tim Fairhurst, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Evropiane për Turizmin.

Dhe të paktën për këtë verë, kriza shëndetësore mund të nënkuptojë “au revoir” për turistët jo-evropianë nga të cilët varen shumë vende. Por disa besojnë se kjo gjithashtu mund të nxisë mendime krijuese mbi mënyrat për të shitur tërheqjet e Evropës … te qytetarët e saj./Voa/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA