Ndërsa Maqedonia Veriore ndodhet në javën e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme, pas së cilës ligjërisht duhet fillon rrjedhja e afateve zgjedhore, ende nuk ka sinjale nga subjektet politike dhe presidenti Stevo Pendarovski nëse mbi datën e zgjedhjeve do të bëhet edhe një përpjekje përmes takimit të liderëve.
Nga presidenti nuk kanë përgjigje nëse Pendarovski ka nisur bisedime me liderët, pas prononcimit të tyre se janë për konsensus. Ndërkohë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev është shprehur i prerë kundër zgjedhjeve në gusht dhe shtator. Në një intervistë për MKD.MK, Zoran Zaev thotë se nuk dëshiron zgjedhje pa opozitën.
“Nuk ka asnjë problem të ulemi dhe të bisedojmë me qëllim që të arrihet marrëveshje. Propozimet për zgjedhje në fund të muajit gusht ose fillimi i shtatorit nënkuptojnë propozime për të mos pasur zgjedhje. Neve nuk duam zgjedhje pa opozitën, por VMRO-DPMNE-ja do të gjendet në listën zgjedhore. Pjesa më e madhe e procesit përgatitor ka përfunduar dhe pas gjendjes së jashtëzakonshme vijojnë afatet zgjedhore”, tha Zaev, kryetar i LSDM-së.
Edhe partitë e tjera pranojnë se ditëve të fundit janë zhvilluar komunikime bilaterale mes liderëve, por as lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe as kundërshtari i tij politik Zaev nuk kanë marrë përsipër të iniciojnë takim me qëllim gjetjen e datës me konsensus. Partitë politike shqiptare edhe pse kanë datat e tyre të propozuara, thonë se fjalën e fundit do ta thotë konsensus politik.
BDI-ja thotë se data varet nga numri i të infektuarve, ndërsa Aleanca për Shqiptarët kërkon takim me qëllim arritjen e konsensusit. Në takimin e fundit te presidenti, partitë nuk arritën ta pajtohen për datë të zgjedhjeve, ndërsa qëndrimi i fundit i kabinetit të presidentit ishte se pa u arritur konsensus politik mes liderëve, nuk do të ketë ftesë për takim të ri. LSDM-ja propozon zgjedhje në qershor, VMRO-ja kërkon zgjedhje në fund të gushtit ose fillimi shtatorit, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa duan zgjedhje më 26 korrik.
Top Channel