CIA e ka përdorur shpesh muzikën si instrument propagandistik gjatë Luftës së Ftohtë, por së fundi janë shtuar pyetjet nëse edhe “Wind of Change” i Scorpionsave, e shndërruar në himn për shembjen e regjimeve komuniste në Europë, ka qenë prodhim i saj.
Kjo këngë nuk konsiderohet vetëm hiti më i madh në historinë e muzikës gjermane, por është edhe një nga ato këngë që lidhen në mënyrë të pandashme me rënien e komunizmit në kontinentin e vjetër. Një këngë që flet për lirinë, protestat dhe demokracinë, thotë DW, e që do të thotë shumë për miliona njerëz në mbarë botën. Por prej vitesh qarkullon një teori e çuditshme se këtë këngë nuk e ka krijuar këngëtari i grupit Scorpions Klaus Meine, por CIA si armë e luftës psikologjike për të nxitur rininë e Europës Lindore të ngrinte krye kundër këtyre regjimeve.
Klaus Meine pat thënë se ideja për këngën që shoqëroi kthesën e madhe në Europën Lindore i kishte lindur teksa shëtiste përgjatë lumit Moskva në Moskë drejt Parkut Gorki, kur papritmas një fllad ere i kishte fishkëllyer në veshë duke i krijuar idenë e melodisë.
Gazetari Patrick Radden Keefe, që punon për revistën e njohur dhe serioze amerikane “New Yorker”, hulumtoi rreth dhjetë vjet për të nxjerr në dritë nëse ka ndonjë të vërtetë në historinë që kishte dëgjuar nga një ish-punonjës i CIA-s se kënga “Wind of Change” është krijuar në zyrat shërbimit sekret amerikan. Ai nuk arriti të gjejë asnjë provë të tillë, ndërsa mendon se thashethemet për hitin e grupit Scorpions mund të jenë përhapur nga rusët për të diskredituar “Erën e Ndryshimit”.
Top Channel