Merret peng banka në Moskë, sulmuesi kërcënon të hedhë në erë ndërtesën

23/05/2020 20:05

Një burrë me një bombë të rreme ka marrë peng anëtarë të stafit të një banke në Moskë dhe kërcënonte të hidhte në erë ndërtesën. Pas disa orë tensionesh, policia e armatosur bastisi ndërtesën dhe kapi sulmuesin.

Një nga pengjet raportohej se kishte transmetuar direkt në mediat sociale ngjarjen e ndodhur në degën e Alfa-Bank në qendër të Moskës.

Pamjet e postuara raportohej se tregonin të dyshuarin që ecte rrotull zyrës së bankës dhe më pas policët e maskuar që vërshuan brenda ambjentit ku po mbaheshin peng rreth gjashtë njerëz.

Pengmarrësi kishte hyrë në bankë i me pretekstin se po sillte një porosi ushqimi, për të cilën më pas pretendonte se ishte bombë. Siç raportohej, ai mbante gjithashtu uniformën e një restoranti të zonës dhe kishte kërkuar një shumë të madhe parash.

Burri raportohet se më pas i tha pengjeve të tij se po kalonte “një situatë të vështirë” në jetën e tij.

Mediat vendase thanë se burri mbante një “objekt eksploziv të rremë” dhe se asnjë nga punonjësit nuk ishte lënduar deri në kapjen e pengmarrësit.

Një burim i policisë tha për agjencinë Tass: “Njësia e operacioneve speciale sapo kreu një sulm në zyrat e Alfa-Bank dhe kapi sulmuesin që kërcënonte të hidhte bankën në erë. Sipas të dhënave paraprake ai kishte një eksploziv të rremë.”

Një zëdhënës i bankës tha më herët për agjencinë Tass: “Të dhënat janë ende paraprake por ne e dimë se punonjësit janë larguar nga dhoma, njeriu në zyrë ka bllokuar derën e hyrjes. Kërkesat e tij janë të paqarta dhe sipas kolegëve tanë, është konfuz në fjalët e tij”.

FOTO GALERI
7/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA