Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar kryetari i partisë “Bindje Demokratike”, Astrit Patozi. Gjatë fjalës së tij, Patozi foli për Reformën në Drejtësi. Edhe pse Top Channel, bëri publik e-mailin e ambasadores së SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ku ajo i kishte sugjeruar Këshillit Politik të reformës zgjedhore, sistemin elektoral danez, dy liderët e partive kryesore të vendit, Edi Rama dhe Lulzim Basha, e kanë mohuar një propozim të tillë. Arsyeja sipas Patozit, është “zvarritja” nga Rama dhe Basha, mbi këtë çështje.
Astrit Patozi: Gjëja që mendoj është thembra e Akilit, në këtë teatër që po luhet. Unë dje për herë të parë kam parë një kohezion të jashtëzakonshëm, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Edi Rama të gjithë jetën e tij e ka kaluar duke përçmuar Lulzim Bashën. Ai ka shumë të meta, por nuk mund ta akuzojë kush për mungesë fantazie. Ai tha të njëjtën fjali si Lulzim Basha që nuk ka një porpozim amerikan, pikërisht në çastin, ku ai propozim i zonjës Kim po publikohej me radhë në të gjitha portalet e Shqipërisë.
Denis Dyrnjaja: Por përse e mohojnë këto këtë gjë?
Astrit Patozi: E dinë kush do të jetë përgjigja e tyre po t’i pyesësh, përse i mohoni, se nuk na ka ardhur te ne por i ka ardhur Darmianit dhe Ogertit, do të thonë. Kjo është një akrobaci për të kaluar ditët, për ta shtyrë, për ta zvarritur këtë çështje. Ndërkohë që kjo çështje, është kruçale në Shqipëri. Lajmi më i mirë nuk është që Ambasada Amerikane përmend Reformën në Drejtësi, si vijën e kuqe që nuk duhet të shkelet. Kjo nuk është më një lajm, kjo është një gjë që ato e kanë thënë në mënyrë të qëndrueshme për pesë vite. E reja është që për herë të parë, faktori më i rëndësishëm diplomatik në Shqipëri, pra aleati jonë më i madh, më i fuqishëm dhe strategjik. Është investuar për ndryshimin e moçalit politik. Ky është lajmi dhe kjo është gjëja që duhet trajtuar sot. Ata të mos bëjnë sikur nuk e shohin, se nesër janë të detyruar të japin një përgjigje.
Top Channel