Top Talk: Ping Pongu me reformën zgjedhore. Petrit Vasili nuk kemi ikur nga tryeza. Kemi paraqitur kërkesat, presim përgjigje

21/05/2020 18:01

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Prezenca e opozitës së bashkuar, me komponentë të LSI-së dhe PD-së,  në portestën e realizuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” u duk se sfumoi, atë që është quajtur, tyreza e bisedimeve për reformën zgjedhore. Mirëpo, gjatë fjalës së tij në “Top Talk”, Petrit Vasili e hodhi poshtë këtë hipotezë dhe tha se, opozita nuk e ka braktisur tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore, por më datë 29 shkurt, ata kanë paraqitur të gjitha kërkesat e tyre dhe janë në pritje të përgjigjes nga pala tjetër, në këtë rast Partisë Socialiste dhe opozitës parlamentare.

Denis Dyrnjaja: Çfarë po ndodh me reformën zgjedhore pasi ju nuk jeni më në tryezë.

Petrit Vasili: Kjo nuk është e vërtetë. Në një takim të radhës, për arsye e një ngjarje, pasi ishte funeral i shtetit Shqiptar, siç ishte Teatri Kombëtar, pra shteti po varrosej, nuk gjetëm mbledhje të caktuar, nuk u zhvillua dhe nuk u mbajt. Ju nuk vini në dukje që pas 2 muaj e gjysmë, që këshilli politik të mblidhet dhe të flitet për reformën zgjedhore, ka qenë kërkesë e imja dhe zotit Bylykbashi.

Denis Dyrnjaja: Darmian Gjiknuri tha sot që ne jemi të gatshëm dhe po i presim. Le të vijnë te reforma zgjedhore. Ju sapo thatë që ndodhi një gjë një akt siç ishte teatri, që prodhoi këtë shkëputjen tuaj. Me sa kuptova unë do të riktheheni në tryezë. Sa do të zgjasë zia?

Petrit Vasili: Që ky këshill të mblidhej, pasi s’kishte vullnet që të mblidhej, këtë e imponuam ne, me shkrim dhe jo me gojë. Po Gjiknuri në momentin që do të fillonte ky moment, dha të kuptojë në mënyrë të qartë që, ne presim deri në një farë kohë dhe më pas jemi të detyruar ta miratojmë. Po ditën që do të ndodhte kjo, Rama tha që nuk më intereson fare propozimet e opozitës, më interesojnë rekomandimet e OSBE OHDIR-it. Unë nuk do ti referohem fare opinioneve të mia, as të tuave as të Darmian Gjiknurit, por asaj që ka marrëveshja politike. Në të është thënë që OSBE OHDIR-i, asiston, jo merr pushtetin për të vendosur zgjidhjen. Pra në qoftë se në tavolinë hidhet ky mënyrë rregullimi i kolegjit zgjedhor. Pra është vënë asistues (OSBE OHDIR-i), mund të duhen material të tjera shtesë, mund të duhet ekspertizë teknike. Këtë rol ka OSBE OHDIR-i. Vendimarrja është konsensuale, të gjitha palët duhet të bien në konsensus.

Denis Dyrnjaja: Kur do të uleni për konsensus?

Petrit Vasili: Oferta e opozitës, me të gjitha çështjet e OSBE OHDIR-it, të zbërthyera në akte konkrete janë mbyllura më datë 29 shkurt. Më 29 shkurt janë depozituar të gjithë draftet në tavolinë dhe pritet opinion nga pala tjetër.

Top Channel