Planet e kampionatit kosovar të futbollit për të rinisur sezonin e lënë në mes nga pandemia, morën një goditje tjetër pas një rasti pozitiv në një formacion profesionist. Klubi i Dritës së Gjilanit njoftoi se njëri prej futbollistëve të tij ka rezultuar pozitiv ndaj Covid-19 dhe është vendosur menjëherë në izolim, ku do të qëndrojë deri në shërim të plotë.

Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë në rrjetet sociale, skuadra kosovare ka kërkuar që t’u bëhen testet të gjithë futbollistëve, me qëllim që të shmanget rreziku i infektimit për çdonjërin prej tyre apo për të krijuar një vatër të re pandemie në qytet, pikërisht nga dalja jashtë kontrollit.

Identiteti i futbollistit që ka rezultuar pozitiv nuk bëhet i ditur, por klubi i Dritës konfirmon se lojtari ka simptoma të koronavirusit dhe se do të ketë mbështetjen e drejtuesve deri në shërimin e plotë të tij.

Klubet e Superligës janë prekur rëndë financiarisht në mungesë të të ardhurave nga zhvillimi i ndeshjeve dhe sponsorët, dhe rinisja shihej si frymëmarrje për futbollin kosovar.

Top Channel