Tërhiqet Johnson & Johnson/ Nuk do të shesë më pudrën talk në SHBA e Kanada, por nëpër botë po!

20/05/2020 21:39

Kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara Johnson & Johnson, deklaroi se nuk do të shesë më në SHBA dhe Kanada pudrën e saj ikonë për foshnja me bazë talku kur të mbarojnë furnizimet aktuale, pavarësisht pse beson që ky produkt është i sigurt.

Kompania tha përmes një deklarate, se ka rënë kërkesa për njërin prej produkteve më të kërkuara me bazë talku – që është shitur në SHBA nga viti 1894 – pas “dezinformatave” ne lidhje me te. Shumë konsumatorë kanë ngritur padi penale ndaj kompanisë duke pretenduar se produktet e saj me këtë mineral të butë u kanë shkaktuar kancer.

“Johnson & Johnson vazhdon të ketë besim në sigurinë e pudrës për fëmijë. Studimet shkencore për dekada nga ekspertë mjekësorë në gjithë botën, mbështesin sigurinë e produktit tonë”, thanë drejtues të saj.

Kompania përballet me më shumë se 19,000 padi penale nga konsumatorët dhe të mbijetuarit që pretendojnë se në produktet e saj ka pasur asbest, që shkakton kancer. Kompania do të vazhdojë të shesë në SHBA e Kanada pudrën e vet për bebe me përmbajtje niseshteje, ndërsa atë me bazë talku, do ta nxjerrë si gjithmone në treg në të gjithë pjesën tjetër të botës.

Top Channel