OKB, Rusia e Vatikani dënojnë planin unilateral të Izraelit për aneksimin

20/05/2020 21:14

Refuzimi ndërkombëtar për aneksimin nga Izraeli të disa pjesëve të Bregut Perëndimor fitoi më shumë vrull sot pasi OKB, Rusia e Vatikani shprehën kundërshtime të forta për planin që mund të nisë të zbatohet në verë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se do të avancojë planet për zgjerimin e sovranitetit të Izraelit në të gjitha kolonitë në luginën e lumit Jordan, e cila përbën rreth 30% të Bregut Perëndimor, shkruan ‘Times of Israel’.

Kjo politikë mbështetet nga koalicioni i ri qeveritar në Tel Aviv.

Duke folur sot në Këshillin e Sigurimit, i dërguari i veçantë i OKB për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov i bëri thirrje Izraelit të heqë dorë nga planet e aneksimit të Bregut Perëndimor, si dhe i bëri thirrje palestinezëve të rikthehen në bisedimet e kuartetit SHBA, BE, Rusi e OKB.

“Izraeli duhet të heqë dorë nga kërcënimet e aneksimit. I bëj thirrje kolegëve të kuartetit në Lindjen e Mesme të punojnë me OKB për rihapjen e rolit ndërmjetësues dhe avancimin e mundësisë së paqes”, tha ai.

Respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe i rezolutave të OKB është një “element i domosdoshëm për bashkëjetesën mes dy popujve” thuhej në deklaratën e Vatikanit pas sesionit të Këshillit të Sigurimit. Selia e Shenjtë është duke e ndjekur nga afër situatën dhe shpreh shqetësim se këto veprime kompromentojnë mundësinë e dialogut, shtohej në deklaratë.

Vatikani tha se shpresonte për një zgjidhje dhe rinisje të bisedimeve të drejtpërdrejta në mënyrë që “paqja të rikthehet në tokën e shenjtë, të adhuruar nga kristianët, muslimanët dhe hebrejtë”.

Top Channel