Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se fakti që Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë me koronavirus, përbën “simbol nderi”.
“Unë e shikoj këtë, në një aspekt të caktuar, si gjë të mirë, sepse i bie se testimi ynë është shumë i mirë”, ka thënë ai në Shtëpinë e Bardhë. “Kështu që unë e shoh këtë si simbol nderi. Vërtet, është simbol nderi”, ka deklaruar Trump.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja deri më tani ka regjistruar 1.5 milion raste me koronavirus dhe gati 92,000 të vdekur nga po ai. Në vendin e dytë gjendet Rusia me gati 300,000 raste të konfirmuara.
Trump i ka bërë këto deklarata në takimin e tij të parë me kabinetin, prej kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus në territorin amerikan. “Ju e dini se kur thoni që ne udhëheqim me numër të rasteve, kjo është për shkakun se kemi më shumë teste sesa secili vend tjetër”, u ka thënë ai gazetarëve.
Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, një agjenci federale, Shtetet e Bashkuara kanë kryer 12.6 milionë teste për koronavirus deri të martën. Ndërkohë Komiteti Kombëtar i Demokratëve ka kritikuar komentet e presidentit republikan, duke thënë se 1.5 milionë raste me Covid-19 në SHBA, shpërfaqin “dështim total të udhëheqësisë”.
Top Channel