Vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë pajtuar me nisjen e një hetimi të pavarur për përgjigjen globale ndaj pandemisë së koronavirusit.

Kjo rezolutë, e miratuar pa kundërshtim nga 194 vendet anëtare gjatë takimit vjetor të realizuar këtë herë në mënyrë virtual në Gjenevë, lejon gjithashtu që hetimet të zgjerohen edhe mbi vetë rolin e këtij organizmi pasi OBSH-ja është kritikuar se e shpalli me vonesë emergjencën shëndetësore. Qëndrimin më të ashpër ndaj saj e kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara. Donald Trump kërcënoi sërish t`ia ndërpresë në mënyrë përfundimtare financimet OBSH-së, nëse nuk ndërmerr hapa për “ përmirësime rrënjësore” brenda 30 ditëve.

Në një letër të postuar në Twitter e të drejtuar shefit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, presidenti amerikan, I kërkonte në mëyrë të veçantë këtij institucioni të dëshmojë pavarësinë nga Kina. Kjo e fundit reagoi duke thënë se Trump po përpiqet ta largojë vëmendjen nga “ keqmenaxhimit” që I bëri administrate e tij krizës së Covid 19. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijan, tha se SHBA-ja po përpiqet ta njollosë Kinën, për t’u shmangur nga përgjegjësitë e veta. Rezolutën që kërkon nisjen e hetimit sakaq e kishte prezantuar Bashkimi Europian në emër të 100 kombeve.

“Në këtë dokument bëhet thirrje për “vlerësim të pavarur dhe përmbajtësor” të reagimit ndërkombëtar ndaj pandemisë, që mori mijëra jetë, e paralizoi gjithashtu ekonominë. Ghebreyesus, tashmë ka rënë dakort që të rishikohen vendimet e OBSH-së për sëmundjen. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani janë regjistruar mbi 4 milionë raste të prekura me koronavirus, derisa mbi 300,000 prej tyre kanë vdekur.

Top Channel