Një nga gjërat e shumta që provoi kjo pandemi, ishte dhe mbyllja e kulteve fetare.
Fillimisht, dy Pashkët, ajo Ortodokse dhe Katolike, nuk u zhvilluan. Ndërsa besimtarët myslimanë, Muaji i Madhërishëm i Ramazanit, i gjeti me dyert e xhamive të mbyllura. Mirëpo, fatmirësisht me masat kufizuese që po lehtësohen dita ditës, xhamitë u rihapen, por duke ndjekur një protokoll strikt.
I ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ishte imami i xhamisë “Dine Hoxha” në kryeqytet, Ahmet Kalaja. Sot besimtarët myslimanë festojnë “Natën e Kadrit”, e cila në islam është e krahasueshme me vlerën e 1 mijë ditëve. Xhamitë sot do të jenë të hapura në kryeqytet, por numri i besimtarëve, sipas imamit, pritet të jetë i pakët. Ai shpjegoi të gjithë protokollin që duhet të ndjekin besimtarët. Fëmijët deri në moshën 12 vjeç dhe të moshuarit mbi 65-vjeç, janë dy grupmoshat që nuk lejohen, të frekuentojnë xhamitë këtë periudhë. Ndërsa besimtarët që duan të shkojnë në xhami, duhet të jenë të pajisur me doreza, maska si edhe duhet të marrin qilimat e faljes nga shtëpitë. Po ashtu imami Ahmet Kalaj, zbuloi se është punuar që besimtarët të kenë një distancë, prej 2 metrash katrorë nga njëri-tjetri. Në rast se do të ketë fluks të besimtarëve, imami u shpreh se mund të ketë dhe falje me turne.
“Ju uroj këtë natë të madhe, e cila është një natë e veçantë. Populli shqiptar e dashuron shumë, sepse njerëzit e agjërojnë edhe nëse nuk janë predikues të fesë islame. Në fenë silame thuhet se në këtë ditë shkruhet dhe fati vjetor. Ka qenë një ramazan krejt ndryshe, iftaret e përbashkët kanë munguar, teravitë kanë munguar, por na erdhi lajmi i mirë që xhamitë do të hapen. Do të ketë një distancë dy metra katror nga njëri falës tek tjetri. Gjithsecili duhet të mbaj pozicionin e vet. Abdes’hanet (vendi ku mirret abdesi), do të jetë i mbyllur për momentin, deri në një urdhër të dytë. Besimtarët mund të marrin qilimin e faljes me vete. Fëmijët deri në moshën 12-vjeçare nuk lejohen që të vijnë në xhami dhe të moshuarit mbi 65 vjeç. Unë kam thënë edhe shpesh që njerëzit të kuptojnë rëndësinë që ka xhamia. Ato me këtë mungesë ,e kanë kuptuar që xhamia ka një vend të veçantë në zemrat e tyre. Dorezat dhe maskat duhen t’i kenë. Do të ketë kontroll për temperaturën. Do të ketë dhe dezinfektat për duart, kur futesh dhe del nga xhamia. Kemi menduar që nëse do të ketë besimtarë mbi këtë kapacitet, do të bëhet turni i parë dhe turni i dytë, sepse xhamia ka dhe ndihmës imam. Por besoj që nuk do të ketë fluks sepse njerëzit nuk dalin”, u shpreh imam Ahmet Kalaja.
Top Channel