Partitë politike në Maqedoninë e Veriut dështuan edhe në takimin e dytë për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lidhja Social Demokrate në pushtet, e drejtuar nga Zoran Zaev këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve ne 21 apo 28 qershor. Sipas LSDM do të merren parasysh rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë, por është e mendimit se zgjedhjet duhet të zhvillohen në afatin e parë të mundshëm për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe të mos i ekspozojnë ata ndaj një rreziku të ri shëndetësor në vjeshtë kur pritet valë e re e virusit.

OBSH-ja pikërisht këtë e paralajmëron prandaj duhet të shkohet në zgjedhje kur kushtet më shumë e lejojnë këtë vlerësojnë nga LSDM. VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin, ndërsa ka shprehur shqetësim prej rritjes së numrit të të infektuarve. Ajo insiston që zgjedhjet të mbahen nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit.Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se shëndeti është mbi të gjitha, por shprehet i gatshëm për pjesëmarrje në zgjedhje në cilëndo datë që do të merren vesh partitë politike.

Partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e idesë që votimet të zhvillohen pasi të ketë vlerësime pozitive mbi pandeminë, por gjithashtu kërkon mbajtjen e tyre pasi të jenë hapur kufijtë, për të mundësuar votimin edhe të diasporës. Zgjedhjet në Maqedonisë e Veriut ishin parashikuar të zhvillohen më 12 prill, por u anuluan për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në fuqi është ende gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa vendi drejtohet nga një qeveri teknike.

Top Channel