A kanë nevojë amerikanët për më shumë ndihmë financiare nga qeveria?

19/05/2020 02:54

A kanë nevojë për më shumë ndihmë financiare nga qeveria amerikanët? Kjo është pyetja që argumentohet nga ligjvënësit, pasi një projektligj tjetër për ndihmë shkon tani në Senat. Shumë demokratë dhe republikanë kanë pikëpamje shumë të ndryshme mbi atë që duhet për të ndihmuar ekonominë amerikane pasi ajo u shkatërrua nga pandemia.

Ndërsa bizneset amerikane vazhdojnë të rihapen ngadalë, mënyra për të riparuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia mbetet një çështje partiake. Projekt-ligji i ndihmës ekonomike prej 3 trilion dollarësh i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve pasqyron dallimet midis republikanëve dhe demokratëve.

“Së pari, hap ekonominë, provo, provo, provo. Së dyti, ne duam të nderojmë heronjtë tanë duke ndihmuar strukturat shtetërore dhe lokale. Dhe tre, ne duam të vendosim para në xhepat e popullit amerikan”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Me zgjedhjet presidenciale vetëm disa muaj larg, projektligji i fundit, thonë republikanët, është i mbushur me përparësitë e demokratëve.

“Paketa është aq shumë e palidhur me koronavirusin, saqë është e vdekur pa mbërritur këtu. Sasia e parave, dhe mënyra se si kërkohen të shpenzohen paratë, dhe dispozitat e palidhura në project-ligjin e bëjnë të pamundur që ai të miratohet në Senat”, tha senatori republican Lindsey Graham. Projekt-ligji përfshin faljen e borxhit të studentëve dhe ndihmë financiare për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë, qiradhënësve, pronarëve të shtëpive dhe fermerëve. Legjislacioni gjithashtu do të lejojë që imigrantët pa dokumente të marrin pagesa nëse paguajnë taksat.
“Nancy Pelosi në thelb më humbi llogjikën me atë paketë kur kërkon të paguajë me 1.200 dollarë për çdo emigrantë të paligjshëm. Që aty çdo gjë merr tatëpjetën”, tha Peter Navarro, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Tregëtinë.

Por senatori i Vermontit dhe ish-kandidati për president Bernie Sanders thotë se një paketë tjetër stimuluese është kritike. “Sot ka njerëz që nuk kanë mundësi të shkojnë te mjeku, edhe kur kanë simptoma të koronavirusit. Nëse jeni të shqetësuar për klasën punëtore të këtij vendi, kuptoni vuajtjet e jashtëzakonshme, të papara, që po ndodhin tani, dhe kërkoni që Kongresi të veprojë”, tha senatori i Vermontit Bernie Sanders.

Sanders thotë se Senati duhet të përmirësojë legjislacionin aktual për të ndihmuar amerikanët që nuk po punojnë gjatë pandemisë. “Unë jam nga ata që besojnë se ne duhet të shkojmë në drejtimin e një procesi të pagave të sigurta, të ngjashme me atë që është bërë në Evropë, duke i thënë secilit punëtor në Amerikë, ju do të vazhdoni të merrni çekun tuaj, dhe përfitimet e tjera që keni pasur kur keni qenë në punë dhe kur të përfundojë kjo krizë, shpresojmë së shpejti, thjesht do të ktheheni në punë”, tha zoti Sanders.

Por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për tregtinë Peter Navarro thotë se Presidenti Donald Trump ka një plan ndryshe për të rritur ekonominë.
“Për çdo punë të sektorit të shërbimeve që mund të humbasim ndërsa përshtatemi me këtë virus të Kinës, do të duhet ta zëvendësojmë atë me punë në prodhim, që do të ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës përsëri në sektorin e shërbimeve.

Pra, ajo që Presidenti Trump dhe unë jemi përqëndruar është një axhendë e blerjes së produkteve amerikane, duke hequr kufizimet dhe duke lejuar risi, që do të fillojë me sjelljen në vend të zinxhirëve tanë të furnizimit me ilaçe, duke sjellë në vend prodhimin e furnizimeve tona mjekësore dhe të pajisjeve, që duhet ti bëjmë këtu. Ky do të jetë një plan jo vetëm i mirë ekonomik, por edhe i mirë për sigurinë kombëtare”, tha zoti Navarro. Mes përçarjeve politike dhe rritjes së nivelit të papunësisë, Pelosi thotë se demokratët janë të hapur për të negociuar me republikanët ndërsa projektligji i fundit për lehtësimin e barrës ekonomike nga koronavirusi shkon në Senat./VOA

Top Channel