Kompania amerikane e bioteknologjisë, Moderna dha lajmin që shumë duan ta dëgjojnë në këtë kohë pandemie: rezultatett e vaksinës së saj eksperimentale për COVID-19, të testuar tek njerëzit, janë pozitive!

Vaksina e Modernas ka arritur të krijojë antitrupa që neutralizojnë virusin, të ngjashme me ato të gjendura tek pacientët e shëruar prej tij. Kjo kompani është në pararojë të përpjekjeve për zhvillimin e një trajtimi për sëmundjen, dhe javën e kaluar fitoi miratimin e agjencive amerikane të shëndetit për një proces të përshpejtuar në përputhje me rregulloret. Faza e parë e testeve klinike po konsiderohet e suksesshme.

Moderna shpreson t’i fillojë provat e avancuara në shkallë më të gjerë në muajin korrik. Kompania raportoi se në tetë pacientë, të ndjekur për një muaj e gjysmë, vaksina me dozë të ulët dhe të mesme shkaktoi nivele të antitrupave specifikë në gjak si ato të personave që e kanë marrë veten nga Covid 19.

Vaksina deri tani është toleruar mirë, me përjashtim të ndonjë skuqjeje në vendin e injektimit tek një pacient si dhe simptoma sistemike, që përfshijnë rraskapitjen e lodhjen muskulare, tek tre të tjerë të trajtuar me dozën më të lartë, por për çdo rast, nuk është raportuar asnjë efekt anësor serioz.

Top Channel