Në bashkinë e Finiqit bujqësia është një prej dy drejtimeve kryesore të ekonomisë. 58 fshatra jetojnë prej bujqësisë dhe emigracionit. Fermerët në këtë zonë gati 200 të tillë përballen me probleme të shumta.

“Këtu janë rreth 15-20 familje që punojnë tokat dhe kemi nevojën e vaditjes. Kemi nja 10-15 vjet që kërkojmë ndihmë nga bashkia dhe nga shteti. Kemi një kanal që quhet KK3. Ai mbulon vaditjen për gjithë zonën tonë për misrin, vjen që nga Bistrica. Që nga koha e Enverit nuk është vënë dorë akoma. Tani nuk kalon dot asnjë litër ujë atje.”

Kjo është fusha e Rosanit, pjesë e fushës së madhe të Vurgut e njohur në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Në të dy krahët e kësaj rruge duket se ka sipërfaqe të tëra të lëna djerrë.

“Ujë nuk kemi. Ne vadisim me pompa zhytëse, vadisim me naftë. Ju nuk e dini pompën zhytëse por ne vadisim me naftë dhe mbyllim prita, mbledhim ujin dhe jemi 12 fermerë dhe atë ujë e qarkullojmë të tërë bashkë. Misrin e shihni sa është bërë, temperaturat po çohen kështu që ne jemi të detyruar të vadisim. Këtu janë 300 ha në mëshirë të fatit ”

Florika dhe Kleanthi prindër të dy fëmijëve kanë kultivuar këtë vit 15 ha tokë me misër. Ata thonë se vështirësitë janë të shumta duke nisur që prej vaditjes. Shumë miq të tyre e kanë braktisur tokën vitin e kaluar dhe shumë të tjerë pritet që ta braktisin këtë vit fatkeqsisht.

“Kemi mbjellë 15 ha por është shumë vështirë që të jetosh me këtë dhe arsyeja është se edhe kur luftojmë për ta mbjellë nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti por edhe në momentin e shitjes është kostoja shumë e ulët dhe ato që blejmë ne janë shumë të shtrenjta. Për atë një lugë ujë zihemi njëri me tjetrin. Jemi 15 fermerë që po mbjellim por në momentin e vaditjes zihemi vëllai me vëllain apo kushëriri me kushëririn për atë se të dy digjemi. Shumë e vështirë. Po nuk patëm rendiment dhe çmim mundet që vitin tjetër të ikim fare. Shumë fermerë kanë ikur nga fshati. 3-4 shokë të mitë kanë ikur vjet.”

“Na vështirëson uji, nafta që është e shtrenjtë, të gjitha këto kushte. Nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti.”

Vetëm gjatë këtij viti me largimin e 5-6 fermerëve kjo bashki ka humbur gati 50-60 ha tokë të mbjellë me misër.

“Një çështje shumë e rëndësishme që ne e kemi kërkuar në vazhdimësi është vendosja në funksionim e kanalit “Thoma Filipeu” i cili është një vepër shumë e madhe e trashëguar por e abandonuar vitet e fundit dhe është pothuajse jashtë funksionit. Ky kanal mund të vendos nën ujë rreth 4000 ha. Gjithashtu është edhe kanali KK3 që furnizon me ujë fushat e Finiqit dhe Vrionit që duhet riparuar dhe me këtë investim ne vendosim nën unë 800 ha tokë bujqësore. Këto janë investime kapitale që i kemi kërkuar nga Ministria e Bujqësisë dhe do insistojmë për ti marrë këto investime.”

Me gati 11 mijë ha tokë bujqësore të mbjellë bashkia e Finiqit është një prej bashkive kryesore bujqësore në Jug të vendit. 4000 ha të kësaj sipërfaqeje gjenden nën ujë por e gjithë pjesa tjetër po përball sfidën e mungesës së ujit për vaditje. /Kristina Fidhi/

Top Channel