Policia vret me armë punonjësen zezake të emergjencës teksa flinte në shtëpinë e saj

14/05/2020 20:32

Një punonjëse afro-amerikane e emergjencës është qëlluar për vdekje nga policia në SHBA kur oficerët hynë në shtëpinë e saj në kërkim të drogave.

Tashmë familja e 26-vjeçares Breonna Taylor ka paditur autoritetet për vrasjen e ndodhur në Louisville, Kentucky më 13 mars.

Taylor ishte duke fjetur në krevat me të dashurin e saj, 27-vjeçarin Kenneth Walker, kur tre oficerë me rroba civile hynë me forcë nga dera kryesore dhe nisën të qëllonin “qorrazi” brenda apartamentit, siç thuhet në padinë e ngritur nga nëna e viktimës, Tamika Palmer.

Tre oficerët, të identifikuar si Jonathan Mattingly, Brett Hankinson e Myles Cosgrove, raportohej se po ekzekutonin një mandat kontrolli për një çështje trafiku drogash.

Ata pretendojnë se njoftuan hyrjen e tyre para se të thyenin derën kryesore, deklaroi komandanti i policisë së Louisville, Ted Eidem.

Ata thanë se kishin një “mandat kontrolli në banesë pa trokitje …prej natyrës së veprimit të trafikantëve”.

Mandati thoshte se Taylor kishte pranuar pako me drogë në postë, nga një ish-i dashur që po hetohej.

Policia tha më tej se Walker, i cili kishte leje armësh, nisi të qëllonte kur policia hapi derën.

Oficeri Mattingly ishte plagosur në këmbë gjatë shkëmbimit të zjarrit që kishte shkatërruar apartamentin.

Në padi thuhej se “më shumë se 25 plumba kishin goditur objektet në dhomën e ndenies, në banjë, në kuzhinë e në korridor, madje dhe në shtëpinë ngjitur, ku jetonte një grua me një fëmijë 5-vjeçar”.

Taylor raportohet se ishte qëlluar të paktën tetë herë para se të vdiste.

Kryebashkiaku i Louisville, Greg Fischer ka kërkuar një hetim të plotë për ngjarjen e rëndë. “Prioriteti për mua është të zbardhet e vërteta. Puna e policisë përfshin situata shumë të vështira por rezidentët kanë të drejtat e tyre. Këto dy koncepte duhet të peshohen mirë nga sistemi ynë i drejtësisë gjatë procedimit të rastit”.

Walker u arrestua pas incidentit dhe u akuzua me temtativë vrasjeje të një oficeri policie. As ai e as viktima Taylor, nuk kishin precedentë dhune apo drogash.

“Ata do ta kenë shumë të vështirë të bëjnë të besohen akuzat ndaj Walker”, tha avokati që ngriti padinë e nënës së viktimës, Sam Aguiar.

FOTO GALERI
1/4
Tre oficerët po ekzekutonin një mandat kontrolli për një çështje trafiku drogash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA