Ish-futbollisti turk, Cevher Toktas, 32 vjeç, e ka pranuar se ka mbytur me jastëk djalin e tij 5-vjeçar, 11 ditë pasi zyrtarët në Turqi konfirmuan se vogëlushi ka ndërruar jetë nga koronavirusi.
Cevher, e dërgoi djalin e tij Kasim, më 23 prill në një spital në Bursa të Turqisë, sepse vogëlushi kishte kollë dhe ethe, dy simptoma këto të koronavirusit. Pas mbërritjes në spital, mjekët vendosën që babë e birë të shtroheshin në pavion, pasi rezultuan pozitivë me COVID-19. Ditët kalonin, por papritur një ditë 32-vjeçari, thërriti me urgjencë mjekët për t’i thënë që, Kasim kishte probleme me frymëmarrjen. Menjëherë mjekët e dërguan vogëlushin në njësinë e kujdesit intensiv, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte. Mjekët e raportuan vdekjen si të natyrshme, të shkaktuar nga virusi korona. Mirëpo 11 ditë pas vdekjes së djalit, Toktas raportohet se u drejtua për në rajonin e policisë, për t’u dorëzuar, pasi pranoi se kishte vrarë të birin. Ish-futbollisti, u tha oficerëve se ai shfrytëzoi rastin që ishin vetëm dhe mbyti vogëlushin me jastëk.
“Unë mora jastëkun dhe e vendosa me forcë në fytyrën e birit tim. Për plot 15 minuta e mbajta jastëkun shtrënguar pa e ngritur për asnjë çast. Djali im ishte duke tentuar të lirohej gjatë kësaj kohe. Pasi ai ndaloi së lëvizuri unë ngrita jastëkun. Më pas bërtita që mjekët të vinin t’i ofronin ndihmën e tyre, kështu unë do të fshija çdo dyshim ndaj meje. Unë kurrë nuk e kam dashur djalin tim pasi lindi. Nuk e di përse nuk e dua. Arsyeja e vetme përse e vrava atë atë ditë, është se nuk më pëlqente. Nuk kam probleme mendore”, u shpreh Cevher.
32-vjeçari tashmë akuzohet për vrasjen e një të afërmi dhe rrezikon të përballet me burgim të përjetshëm, shkruajnë mediat e huaja.
Top Channel