‘Jemi në pikë të hallit’, bizneset në Tiranë i ankohen, Basha: Paratë pasurojnë 5 njerëzit e Ramës

13/05/2020 11:59

Kreu i opozitës Lulzim Basha u takua me dhjetëra tregtarë dhe pronarë biznesesh në Tiranë, duke  ndarë me ta shqetësimin për rrënimin e ekonomisë.

Qytetarët që ka takuar kreu i opozitës, i kanë treguar për rënien e konsumit, për mbylljen e vendeve të punës nga pamundësia për t’i paguar. Sipas PD, qytetarët janë shprehur se kjo ka ardhur për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria.

“Puna është copë-copë, dy-tre veta kanë ardhur, pesë shitje për dy javë I kemi hequr sepse s’ka punë, s’të leverdis.”- i tha një tregtar zotit Basha.

“Këtë duhet të kishte bërë shteti, ata të pestë t’I mbante me rrogë nga taksat tuaja se taksat për këtë punë duheshin”- u shpreh Basha.

Një tregtar i tregoi se ka mbajtur në punë 3 vetë dhe ka hequr 3 të tjerë, ndërsa pagesën e ndihmës nuk e kanë marrë. Këtë e pohuan edhe disa të tjerë. “Nuk e kuptoj pse e mbajnë deri në 5.30. Atëherë sulmon koronavirusi? Nuk e di si do të funksionojë kjo punë, por jemi në pikë të hallit”- tha një tregtar tjetër.

“Është për t’u paguar qera, sigurimet shoqërore. Dyqani me të vërtetë ka një javë që është hapur, por xhiroja është në nivelet më minimale”- i tha një tregtar Bashës, ndërsa një tjetër donte të dinte pse qeveria nuk ndihmon qytetarët e saj, megjithëse ka siguruar financime nga Europa dhe FMN-ja. “Ku janë këto pare?”- pyeti një pronar biznesi gati në faliment.

“Paret po shkojnë tek pesë njerëz. Si përpara pandemisë, si përpara tërmetit pesë njerëz marrin të gjitha paret e taksave tuaja”- tha kreu i opozitës.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel