‘Librat që më rritën’ është një rubrika e re e Vitrinës së Librit. Nisur si një një mënyrë për të gëzuar në këto ditë ku bota ende nuk po i rikthehet normalitetit ka qenë një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, vec leximit, dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së një filmi.
Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues për të luftuar mundimin që na duhet të jetojmë në këto kohë pandemie. Një botë të lirë që na mungon.
Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publikë mbi atë cfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Kjo është një rubrikë që jashtëzakonisht në një kohë të ardhme do t’u shërbejë lexuesve të rinj për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e tyre të hershme, si janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën ata lexues sot. Cili është personazhi ynë sot?
Ormira Lulani lindi në Shkodër në familje artistësh. Mbaron Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për Pikturë Monumentale. Është aktivizuar në shumë ekspozita dhe bienale brenda dhe jashtë Shqipërisë, si Kanada, Itali, Spanjë, Hong Kong, Turqi, Vietnam, Ceki, Ukrainë, Sllovaki, Malajzi, SHBA, etj .
Momentalisht është Drejtore Artistike në Klik Ekspo Group & Tirana International Fair dhe me pasion punon edhe në ilustrimet e librave dhe kopertinave, pranë Shtëpisë Botuese “Dritëro”.
Ormira është Zv/Presidente e Organizatës Kulturore VIZart, që organizon ekspozita e biennale shumë prestigjioze në Shqipëri, dhe gjithashtu Zv/ Presidente për Shqipërinë në IWS – Organizata Globale e Akuarelistëve.
1.Cilat janë librat që ndikuan në personalitetin tënd?
Besoj se janë shumë libra të cilat në mënyrën e tyre kanë ndikuar mjaft tek unë, më pëlqen shumë Mjeda, vargjet e të cilit i recitoja sa herë dilja nga shtëpia kur dielli më prekte fytyrën, më jepte dëshirë për jetën, Migjeni, që e ndjeja shume afër nëpër ditët me shi të Shkodrës, më pëlqente shumë forca e tregimeve apo e vargut të tij, por besoj shumë kanë ndikuar dhe shkrimtarët rusë që i dua mjaft, si Tolstoi, Çehovi, Gogoli, Dostojevski te cilët i lexoja më shumë dëshirë.
“Lufta dhe Paqja”, e Tolstoit kushedi sa herë e kam lexuar, gjithmonë e shikoja veten personazh të librave të tyre, i përjetoja shumë historitë, dramat e karaktereve të tij, herë e përfytyroja veten si Sonia, e përulur që vuante për një dashuri të humbur, e herë si Natasha rebele, ose “Ana Karenina”, isha e futur aq thellë në ato libra, aq sa besoja se në një tjetër jetë, unë kisha jetuar në ato vende ato kohë.
Mbaj mend që bëra disa kompozime vetëm e inspiruar nga tregimet e Gogolit. Punët e mia të asaj kohë kishin një fantazi cigane mund të them, net të ftoha ku shtriga dhe djalli luanin me hënën. Librat kanë një forcë shumë të madhe shtytëse në mënyrën sesi i shikon gjërat, mendja fluturon në aventura në vende e përjetime jashtë
Po kështu mund të përmend dhe tregimet e Gui de Maupassant, apo “Harku i Triumfit”, “Shkëndija e Jetës” të Remarkut, tregimet e Gabriel Garcia Marquez “100 Vjet vetmi”, apo “Dashuri në kohën e kolerës”, dhe më vonë në kohë, në një tjetër fazë pjekurie, një rizbulim i letërsisë së mirë ishin dhe librat “Të jetosh në ishull”, apo “Otello, Arapi i Vlorës” i Ben Blushit që ishte një befasi më vete .
Cili është libri që aktualisht po lexon ?
Momentalisht kam në dorë librin me fabula të Dritëro Agollit, “Këngët e Buzëqeshjes”, po punoj me ilustrimet e librit që së shpejti do dalë me një version të ri nga Shtëpia botuese “Dritëro”. Agolli është shkrimtari im i preferuar, kam një lidhje shpirtërore me të, shumë i pasur në gjuhë, i mprehtë, ka satirë, i paarritshëm, me nxit shumë lehtë idenë e krijimit. Është gjithmonë një kënaqësi të punosh me librat e tij, por njëkohësisht dhe një përgjegjësi, për emrin e tij të madh.
Po libri që të ndryshoi jetën ?
Janë disa libra që kanë qenë shtysë e rëndësishme për mua, libri e ka fuqinë për ta ndryshuar jetën tonë ose perceptimin tonë për jetën; këtu do veçoja librin “Etja për Jetë” libër biografik për Van Gog, nga shkrimtari amerikan Irving Stone, ka qenë një libër që më la mjaft emocion, më bëri të mendoj thellë , të kuptosh forcën e artit, të kuptosh forcën e vullnetit, të punës, të dashurisë, sakrificat që një artist bën, sa e vështirë është te ecësh, sa përpjekje, sa përplasje për të arritur atë që ti do, por dhe e kupton se majat nuk janë të paarritshme. Shpesh kur ndjehem pa kurajë, është një libër që i rikthehem me kënaqësi.
Libri që ndikoi me shume për të shkruar ?
“My Life” titullohet libri nga piktori i shumë i njohur ruso/hebre Mark Shagall, një autobiografi e jetës se tij, kur ai ishte vetëm 35 vjeç, përshkrime shumë të ndjera të kohës së fëmijërisë,dhe e ilustruar nga ai me rreth 50 skica. Është ky libër që ka lënë mbresa tek unë , që më nxit dhe mua për të hedhur në letër kujtimet e shumta të fëmijërisë, atë kohë kur isha e rrethuar me njerëz shume të dashur, kur çdo gjë ishte e thjeshtë dhe bukur. Pikërisht këtë dua ta bëj, një libër të thjeshtë me kujtime dhe ilustrime , qoftë dhe si një dhuratë e vogël për njerëzit e mi të afërt dhe miqtë.
Libri që është mbivlerësuar me shumë pa të drejtë? Si e keni përjetuar ju atë?
Nuk mendoj se librit mund t’i bashkëngjitësh antivlerë apo paragjykim “paraprak” le të themi, pasi gjithsesi shprehja që “librat flasin për librat” e ka një domethënie, kush ka marrë përsipër të shkruajë, gjithsesi një background e ka, një target e ka…; është pastaj zgjuarsia dhe mprehtësia e lexuesit të filtrojë, të mbajë mend, të vlerësojë… Këtu do të flisja përsëri me zërin e Dritëroit: “i mënçuri librat i zgjedh, budallai i merr me radhë”…
Libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur ?
“Tre Qeshin një inatoset”, një letërkëmbim i trilluar satirik i Dritëro Agolli dhe Gaqo Veshi. Është një libër plot humor dhe satirë, që e mbajta gjatë në duar, pasi punova dhe në kopertinën dhe ilustrimet e tij, libër që më ka bërë të ndjehem mirë, dhe shpeshherë e kam zënë veten duke buzëqeshur kur e lexoja.
Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?
Libri që nuk kam arritur të përfundoj, “Panairi i Kotësive” i Uilliam Theker, që nga adoleshenca e hershme e deri më sot, sado që t’i rikthehem, nuk më ecën …
Libri qe ju vjen turp që se keni lexuar ende?
Me shumë dhimbje, është “Muzeu i Pafajësisë”, i Orhan Pamuk, s’e di, e kam nisur disa herë, historitë dhe sfondin ia njoh mirë, por nuk i kam shkuar deri në fund, mbase më mungonte përqendrimi, mbase hija e romaneve të tjera të Pamukut në kujtesë; unë e adhuroj Pamuk si shkrimtar, si personalitet, me këndvështrime shumë të guximshme bashkëkohore. Këtë herë do ta mbaroj patjetër.
Libri më i hershëm që keni lexuar ?
Libri që më ka ngelë në kujtesë, dhe që akoma dhe sot e kërkoj që ta kem përsëri në bibliotekën time, është “Perlat e Kaltra”, autorin nuk e mbaj mend, kujtoj që ngjarjet zhvilloheshin në Bagdadin e famshëm, udhëtimet e personazhit të librit me bënin shumë të ëndërroja, si dhe libri “Odisea“ i Homerit, këtë liber e kam akoma. Te dy këto libra kishin dhe ilustrime te bukura me penë, të cilat, si fëmijë i shikoja gjatë dhe udhëtoja dhe unë me fantazinë time nëpër ato vende, në shkretëtirat e nxehta me deve dhe hiena apo në udhëtimet e famshme te Odisesë që ndeshej me zemërimin e Zotave të Olimpit.
Ilustrimet janë shumë të rëndësishme tek librat për fëmijët. Ilustrimi e ngroh librin e bën më të dashur, më të prekshëm, nxit imagjinatën dhe sensin e observimit, dhe libri ngelet më gjatë në mendje. Unë akoma kam ne kujtesën time ilustrimet e librit “Perlat e Kaltra”.
Libri që e jepni me shpesh si dhuratë?
Zakonisht kur jap dhuratë, jap libra arti më shumë, libra të cilat i kemi botuar nga ekspozitat dhe biennalet e akuarelit që Shoqata Kulturore VIZart , pjesë e së cilës jam, kemi zhvilluar në Shqipëri. Një libër, apo ne këtë rast një Katalog arti, qe del nga puna jote ka një vlere te veçantë për ty të cilën mundohem ta ndaj dhe me miq.
Top Channel